Raporti i OJF-ve:Vrasja e Xhindit, krim i rëndë i pazbardhur
TË DREJTAT E NJERIUT
Raporti i OJF-ve për të drejtat e njeriut tregon se presioni politik dhe ekonomik mbi medien ka cënuar lirinë e shtypit gjatë vitit 2009,
TIRANË- Një grupim organizatash joqeveritare publikoi dje raportin vjetor për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2009, ku konstatohet shkelja e tyre sidomos në presionin e qeverise ndaj medies dhe në dhunën e ushtruar në komisariatet dhe burgjet e vendit. Presioni politik dhe ekonomik mbi mediet e shkruara dhe elektronike, si dhe dhuna e ushtruar mbi disa përfaqësuesit e tyre kanë cënuar lirinë e shtypit. Gjatë vitit 2009, në mediet e vendit, sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, janë shpeshtuar rastet e dhunës së ushtruar mbi gazetarët, mbi gazeta dhe televizione kombëtarë dhe lokalë. Mes qeverisë dhe njerëzve të shtypit janë shpeshtuar raste të polemikës publike, presionit dhe akteve arbitrare, si në rastet me editorë dhe pronarë të medieve, si gazeta e përditshme Tema, Vizion Plus, Top-Channel si dhe gazeta të tjera. Rastet më flagrante të theksuara në raport janë dhuna e ushtruar nga policia në ambientet e gazetës Tema dhe largimi me dhunë që iu bë gazetarëve në janar të 2009, dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi në nëntor të këtij viti. Në raport theksohet se gjatë vitit 2009 janë shënuar një numër më i ulët vrasjesh, por ndërkohë janë shënuar ngjarje mjaft të rënda si vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, dhe sulmi ndaj anëtarit të Gjykatës së Larte, Ardian Nuni, ngjarje të cilat vazhdojnë të mbeten pa autorë nga organet e drejtësisë. Rrjeti i organizatave jo qeveritare gjatë monitorimit të respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë këtij viti, ka konstatuar se gjakmarrja vazhdon ende të mbetet një problem i rëndë.
Sipas Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, degjenerimi në keqinterpretimin dhe keqpërdorimin e kanunit ka shkaktuar vazhdimisht viktima, duke mbajtur të izoluara qindra familje. Sipas të dhënave të raportit publikuar dje në të gjithë vendin janë rreth 1400 familje të ngujuara apo të fshehura. Vetëm në Tiranë konstatohen 110 familje të ngujuara dhe 70 të fshehura, për t'i shpëtuar fenomenit të gjakmarrjes. Megjithëse Kushtetuta dhe ligji ndalojnë ashpër përdorimin e dhunës apo trajtimin çnjerëzor, është konstatuar përdorimi i dhunës nga policia dhe rojet e burgjeve ndaj të dyshuarve dhe të ndaluarve për kryerjen e krimeve të ndryshme.
Gjendja në burgje, alarmante
Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, gjate vitit 2009 ka fituar dy procese gjyqësore me objekt shpërblim demi si rezultat i ushtrimit të dhunës ndaj qytetareve në ambientet e burgut dhe komisariateve të policisë. Në raport theksohet se situata më e keqe paraqitet në Tiranë, në Burgun 313, në seksionin e femrave dhe në Burgun 302, në Qendrën Spitalore të Burgjeve, në Peqin, Berat, Tepelenë, Tropojë dhe në Vlorë. Në këto burgje dhe institucione të paraburgimit, infrastruktura është shpesh herë e vjetër dhe nuk përmbush standardet shëndetësore dhe orenditë janë shpesh të pamjaftueshme ose mungojnë tërësisht, si në Tropojë ku është konstatuar mungesave e orendive dhe shtretërve. Raporti Vjetor mbi Situatën e të Drejtave të Njeriut 2009 është nisma e parë e një grupimi organizatash që mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri, për të përgatitur së bashku një raport të plotë mbi situatën e këtyre të drejtave të parë nën këndvështrimin e konstatimit të problematikave ekzistuese në fushën e respektimit dhe garantimit të lirive e të drejtave të njeriut në vend.