Rikthehen grabitjet e kasafortave, vidhen 30 milionë lekë
Persona ende të panjohur bastisën zyrat dhe magazinat e një biznesmeni grek duke marrë të gjitha paratë që ndodheshin aty
TIRANE- Rikthehen grabitjet e kasafortave, vetëm dy javë pas arrestimit të 7 anëtarëve të grupit dhe shoqërimit të 11 të tjerëve të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë apo që janë dërguar për hetim në gjendje të lirë nga policia. Vidhet me thyerje kasaforta me 30 milionë lekë nga zyrat e biznesmenit, policia nis kërkimin, ndërsa dyshimet kanë rënë mbi pjesëtarët e grupit të kasafortave të cilët janë në kërkim dhe ende nuk janë arrestuar nga policia. Mëngjesin e të premtes, Kristos Papolias, pronari grek i subjektit ETC, një importues produktesh ushqimore në Tiranë, zbuloi se persona të panjohur i kishin bastisur kasafortën. Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë dita e premte, ndërsa autorët ende të paidentifikuar kanë mundur të tërheqin zvarrë dhe më pas të marrin shumën e majme të parave nga kasaforta e tregtarit grek.
Tregtari kishte mundësi t'i hidhte paratë në bankë, por kishte preferuar t'i mbante ato në kasafortën e tij. Duke qenë se paratë ndodheshin në kasafortë dhe kjo ishte e siguruar mirë me një derë të blinduar në zyrën e tij nga biznesmeni grek, ai kishte menduar se tashmë e kishte të sigurtë kasafortën. Të enjten në mbrëmje, kur në zyrat e firmës së tregtarit grek në të cilën ndodhej edhe magazina e mallrave ushqimore, persona ende të panjohur kanë mundur të thyejnë zyrat dhe më pas kanë tërhequr zvarrë kasafortën me 30 milionë lekë brenda. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe mënjëherë ka nisur hetimin për zbardhjen e saj. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nga eskpertët e Policisë, është vënë re se autorët kanë përdorur mjete të ndryshme për hapjen e dyerve.
"Është vjedhje me thyerje, duke shqyer dyert e blinduara të zyrave të firmës së tregtarit grek,- tha dje për "Shekullin", një burim nga hetimi. Nga veprimet hetimore është mësuar se autorët kanë qenë jo më pak se katër dhe se në vendin e ngjarjes, të cilët kanë përdorur edhe një automjet për transportimin e kasafortës.
Policia ka marrë dëshmi të punonjësve të firmës, vetë të dëmtuarit si dhe personave të tjerë që sipas policisë mund të kishin dijeni për ngjarjen. Po kështu policia ka shoqëruar disa persona të dyshuar të cilët janë vënë re të lëvizin gjatë mbrëmjes së të enjtes në zonën për rreth. Hetuesit kanë pohuar se mënyra e realizimit të krimit ishte thuajse e njëjtë me atë të kryer nga personat e arrestuar dhe të marrë nën hetim rreth dhjetë ditë më parë për vjedhjen dhe bastisjen e kasafortave të biznesmenëve. Tre persona, pjesëtarë të këtij grupi ende, nuk janë arrestuar nga policia dhe janë shpallur në kërkim me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të arkave të biznesit në kuadër të grupit të strukturar kriminal.