Topi: Të tregohet maturi në ndryshimet kushtetuese

Presidenti Bamir Topi ka reaguar sot në lidhje me debatet e fundit për ndryshimet kushtetuese. Nga qyteti i Himarës ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë Gjergji Goro, kreu i shtetit u ka kërkuar forcave politike që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen me maturi.
I pyetur rreth ndyrshimeve kushtetuese që kërkon PS në pikat për zgjedhjen e Presidentit, Topi u shpreh se askush nga palët politike nuk e ka pyetur zyrarisht për këtë çështje prandaj do të japë verdiktin e tij vetëm kur të vijë momenti.
Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, presidenti Topi e cilësoi atë si një mesazh mjaft të qartë për politikën shqiptare.
Ai u ka kërkuar forcave politike të vlerësojnë çdo detaj të këtij raporti pasi edhe pse në gjuhë diplomatike ai është mjaft i qartë dhe domethënës.
Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i shtetit i ka bërë apel forcave politike që të nisin dialogun dhe të mos mungojë fryma e bashkëpunimit mes tyre.