Raporti i Policisë/Dje drejt BE-së kanë lëvizur 363 persona
Policia e shtetit deklaroi se dje në ditën e parë të lëvizjes së shqiptarëve pa viza nuk ka pasur ndonjë fluks të madh udhëtarësh. Vetëm 363 persona kanë udhëtuar deri pasditen e sotme, drejt BE. Shqiptarët kanë zgjedhur të udhëtojnë me tragete e avionë, ndërsa fluksi i lëvizjes është normal.
Kështu sipas Policisë, “nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Durrës me pasaportë biometrike kanë kaluar 3 shtetas në imbarkimin e natës dhe pritet të tjerë shtetas të lëvizin gjatë imbarkimit tjetër pasdite. Në Pikën e Kalimit kufitar Kapshticë kanë lëvizur me pasaportë biometrike rreth 70 shtetas shqiptarë. Ndërkohë nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas numri i shtetasve që kanë udhëtuar me pasaportë biometrike deri në këto momente është 130”, thuhet në deklaratë.
Kthimin e disa shtetasve shqiptarë që udhëtonin pa viza drejt Greqisë, policia e ka justifikuar me mungesën në dokumentacion që kanë pasur këta të fundit.
“Nga Policia Greke ka pasur disa shtetas të kthyer për arsye se nuk kanë pasur dokumentacionin e duhur për hyrjen në këtë shtet”, theksohet më tej në deklaratë.