“Shqiptarët e merituan, të lirë në Evropë, falë reformave dhe përkushtimit të qeverisë”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mesazh qytetarëve
Dita e djeshme 15 dhjetori i 2010-ës shënoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët, të cilët me hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë në zonën “Schengen” nisën që dje udhëtimet e para drejt destinacioneve të vendeve të Evropës.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje një grup qytetarësh, që do të udhëtojnë në ditët në vazhdim drejt vendeve të ndryshme të Evropës, duke përfituar nga liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë ditë historike, 15 dhjetorin e 2010-ës ku të gjithë shqiptarët i gëzohen lëvizjes së lirë, liberalizimit të vizave edhe Kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli e ndau me një grup qytetarësh, prindër, të rinj, ish të internuar, biznesmenë etj që i gëzohen kësaj dite të rëndësishme. Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Jozefina Topalli qytetarët i komunikuan Kryetares së Kuvendit, histori të dhimbshme të kalvarit të përpjekjeve, gjatë viteve, për të marrë një vizë.
Tashmë liberalizmit të vizave i janë gëzuar të gjithë ata prindër që shkojnë të shohin për herë të parë, se ku dhe si jetojnë fëmijët e tyre në vendet e zonës “Schengen”, të rinj që shkojnë të shohin nga afër mundësi të reja për studim, ish të internuar që i gëzohen lirisë dhe që mund të lëvizin të lirë në vendet e Evropës, biznesmenë që shkojnë për të parë mundësi të reja biznesi, si dhe çdo qytetar i Shqipërisë i gëzohet kësaj dite historike të lëvizjes së lirë nëpër Evropë. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli iu referua edhe godinës së parlamentit duke e konsideruar si simbolike takimin e djeshëm më këtë grup qytetarësh të cilët do të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së.
“Unë mund t’ju takoja edhe diku tjetër, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Ndoshta më mirë që u takuam këtu, sepse ka qenë kjo godinë, që 45 vjet me radhë, ka izoluar këtë vend, ka futur këtë vend në testin më mizor kundra njeriut, kundra vetes. Është kjo godinë që gjatë gjithë periudhës së diktaturës, shqiptarët u internuan, u izoluan, iu vunë hekurat, i vunë në tela me gjemba, i hoqën dinjitetin, i hoqën lirinë”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ndihet krenare për këtë ditë ku të gjithë shqiptarët po udhëtojnë pa viza.
“Dhe sot unë ndihem krenare që, bashkë me të gjithë të tjerët, kemi patur mundësinë që nga kjo godinë, që tashmë është kthyer në tempullin e demokracisë, të votojmë reforma e ligje që na kërkoheshin, për të ardhur kjo ditë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët. Kemi punuar gjatë, ky është një gëzim i merituar. Kurrkush nuk na ka dhuruar gjë”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli në këtë pritje miqësore të qytetarëve të cilët do të udhëtojnë këto ditë drejt destinacioneve të vendeve të BE-së.