Zyrtarët që nxjerrin informacione sekrete,rrezikojnë deri në 10 vjet burg
27/03/2005 Ndryshimet e reja në Kodin Penal, në kuadër të zbatimit të ligjit të ri antimafia, kanë ashpërsuar masat e dënimit të zyrtarëve shtetërorë, që mund të nxjerrin ose publikojnë informacionet e konsideruara si sekrete. Në bazë të këtyre ndryshimeve ligjore, rrezikohet dënimi deri në 10 vjet burg, nisur nga pasoja që mund të shkaktojë nxjerrja e informacioneve. Kështu në Kodin Penal, pas nenit 313/a, do të shtohet neni 313/b, i cili parashikon ndalimin e dhënies dhe publikimit të informacionit, kur ky është i cilësuar si sekret. Sipas këtij ligji, zyrtarët shtetërorë dënohen nga gjobë deri në një vit burgim, në rast të nxjerrjes ose publikimit të të dhënave të klasifikuara si kofidenciale. Ndërsa, në rast se si rrjedhojë e publikimit të të dhënave kanë ardhur pasoja të rënda për persona të tjerë, atëherë masa e dënimit varion nga 6 muaj deri në tre vjet burgim, thuhet në ligjin e ri. Ligji 313/b ka parashikuar edhe rastet kur informacioni kofidencial del nga persona që e kanë për detyrë ta ruajnë. Në këto raste, masa e dënimit varion nga gjobë deri në tre vjet. Ndërsa në rastet kur si pasojë e publikimit kanë ardhur pasoja të rënda, atëherë dënimi ashpërsohet nga një vit deri në pesë vjet. Paragrafi i fundit i ligjit të ri parashikon edhe pasojat më të rënda të mundshme, si pasojë e publikimit të informacioneve të konsideruara sekret. Kështu, në rast se publikimi i informacionit ka sjellë për pasojë vdekjen, ose vetëvrasjen e personave të dëmtuar, atëherë masa e dënimit varion nga tre deri në 10 vjet burgim.