Raporti, risqet e veprimtarisë financiare në 2007-n
Situata makroekonomike në vend gjatë vitit 2007 paraqitet pozitive. Ka qenë inflacioni në vend që është shoqëruar me disa probleme. Investimet kanë pasur probleme pasi kanë mbetur për në fund të vitit, si dhe kreditimi vazhdon të rritet ndjeshëm. Këto janë vlerësimet e situatës financiare për vitin 2007, të bëra nga Banka e Shqipërisë, të publikuara në “Raportin mbi Stabilitetin Financiar”. Sipas këtij raporti, analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare në vendin tonë tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut. Spektri i rreziqeve është zgjeruar gjatë vitit 2007 dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Kjo ecuri diktohet nga zgjerimi i mëtejshëm i investimeve të sistemit financiar në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë, nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë, nga hapja e saj dhe nga integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale. Megjithatë, në bazë të analizës së autoriteteve rregullative, përgjithësisht sistemi financiar paraqitet aktualisht i mbrojtur nga rreziqet që vijnë si rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe të atyre rajonale e globale. Në këtë kuadër, nuk identifikohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Ndonëse niveli i rreziqeve është i administrueshëm, rekomandohet rritja e kujdesit mbikëqyrës nga ana e autoriteteve rregullative të tregut financiar, nga vetë institucionet financiare dhe nga publiku. Gjatë vitit 2007, treguesit makroekonomikë shënuan një ecuri të qëndrueshme pranë prirjes së tyre disavjeçare. Rritja vjetore ekonomike pritet të jetë pranë nivelit 6 për qind, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, pavarësisht rritjes së deficitit tregtar. Në fund të vitit, qeveria e Republikës së Shqipërisë plotësoi objektivat në lidhje me nivelin e të ardhurave dhe të shpenzimeve publike, tepricën negative (deficitin) buxhetore, si edhe në lidhje me madhësinë e financimit të një pjese të shpenzimeve me burime të brendshme të tregut financiar. Shpenzimet e kryera veçanërisht në pjesën e fundit të vitit ndryshuan tiparet e financave publike, të cilat deri atëherë shfaqën një tepricë pozitive buxhetore. Politika monetare iu përgjigj presioneve inflacioniste, të cilat u ashpërsuan dhe u shfaqën qartë në tremujorin e fundit të vitit. Efekteve negative mbi kostot e prodhimit dhe ofertën e mallrave, të krijuara si rezultat i motit të thatë në periudhën e verës dhe të vjeshtës, si edhe të situatës së rënduar energjetike brenda vendit, iu shtuan pasojat e një situate të vështirë në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore. Struktura e papërshtatshme e prodhimit në vend dhe varësia nga produktet e importuara, mbetën faktorë të cilët dëmtuan mekanizmat mbrojtës të ekonomisë së vendit ndaj zhvillimeve të tilla rajonale dhe globale. Si rezultat, në muajt shtator dhe tetor të vitit 2007, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave, rezultoi përkatësisht 4.4 për qind dhe 4.2 për qind, përtej kufirit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 për qind. Për të shmangur qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë rriti dy herë normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes, duke e ngjitur atë
në nivelin 6.25 për qind. Në fund të vitit, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.1 për qind, brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë dhe pranë objektivit prej 3 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.
në nivelin 6.25 për qind. Në fund të vitit, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.1 për qind, brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë dhe pranë objektivit prej 3 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.