Zgjedhjet e pjesshme, LSI: Testi i drejtësisë së aleancës me PD-në
LSI do të konkurrojë e vetme me kandidatët e saj në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, duke e konsideruar këtë garë elektorale edhe si një test të drejtësisë së vendimit të saj për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës. Vendimi i LSI-së u bë dje publik nga nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, dhe në një kohë kur socialistët pritet të zyrtarizojnë bojkotimin e zgjedhjeve të 15 nëntorit. Vendimi, sipas drejtuesve të LSI-së, nuk cenon aspak bashkëqeverisjen me të djathtët, ndërsa theksohet se vetëm në këtë mënyrë votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy alternativave. LSI, përmes z. Haxhinasto bëri të ditur se do të garojë në zgjedhjet e 15 nëntorit me përfaqësuesit e saj më të spikatur, duke e konsideruar këtë garë elektorale edhe si një test të drejtësisë së vendimit të saj për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës. “Ky vendim i LSI-së nuk cenon aspak koalicionin qeverisës për integrimin evropian, koalicion i cili ka filluar funksionimin me rezultate të prekshme në të gjithë sektorët, veçanërisht në ata sociale. Vendimi i LSI-së është marrë duke ushtruar përgjegjësisë tona ndaj të drejtave themelore demokratike të shtetasve, të cilët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin midis alternativave personat që do t’i drejtojnë ata në gjithë nivelet e pushtetit”, - deklaroi Haxhinasto. Sipas tij, ky vendim i LSI-së nuk do të ishte marrë nëse lidershipi i PS-së do të respektonte mandatin e saj politik dhe opozitar që i dhanë zgjedhësit në 28 qershor.