Rasmussen: PSE, mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë Kryetari i Partisë së Socialistëve Evropian, Poul Nyrup Rasmussen

Gjatë punimeve të Konferencës Ballkanike të Partisë Socialiste Evropiane në Sarajeve, kryetari i Partisë së Socialistëve Evropian, Poul Nyrup Rasmussen i rezervoi një pritje të veçantë kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në takim u bisedua rreth forcimit të marrëdhënieve mes PSE dhe LSI, situatës politike në Shqipëri dhe perspektives së afërt të liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Rasmusen konfirmoi gatishmërinë e socialistëve dhe progresistëve evropiane për të liberalizuar vizat me Shqipërinë në fillim të korrikut 2010. Dy personalitetet diskutuan për situatën politike në vend, zhvillimet e fundit në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe plotësimin e reformave në funksion të integrimit evropian. Kryetari i LSI theksoi se Shqipëria shumë shpejt do të dorëzoj përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian, një ndërmarrje e rëndësishme e qeverisë dhe administratës shqiptare. Nga ana e tij, Rasmussen vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve rajonale në të gjitha dimensionet. Veçanërisht ai përgëzoi ministrin e Jashtëm të Shqipërisë për rolin e tij aktiv në politikën e jashtme në funksion të bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme dhe vizitën e fundit të Metës në Serbi.