E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen kërkon shtim të trupave në Afganistan

Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë thirrje për shtimin e trupave në Afganistan dhe theksoi se programi i trajnimit të trupave vendase duhet të identifikohet. "Mendoj se duhen më shumë trupa në Afganistan", deklaroi nga Kabuli, Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministri i Danimarkës, i cili mori këtë muaj drejtimin e aleancës perëndimore.
"Konstatova progres në jug të Afganistanit dhe kjo ka ardhur për shkak të shtimit të trupave atje. Pra padyshim, në këtë vend ka nevojë për më shumë trupa", shtoi ai. NATO-ja ka dislokuar rreth 65 mijë ushtarë në Afganistan, me kontributin e më shumë se 40 vendeve, por gjysma e tyre janë amerikanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë edhe 36 mijë trupa të tjera që operojnë jashtë komandës së NATO-s. Uashingtoni ka bërë të qartë se kërkon një kontribut më të madh me ushtarë nga shtetet kryesore anëtare të aleancës, por ndërkohë vende si Gjermania, Franca dhe Italia kanë shprehur ngurimin e tyre në këtë aspekt. Ndërkohë që shpërthimi i një bombe të vendosur në anë të një rruge vrau katër ushtarë amerikanë në provincën jugore të Helmandit, ku marinsat kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër militantëve islamikë. Mujajin e kaluar, 76 ushtarë të huaj humbën jetën në Afganistan, duke e bërë korrikun muajin më të përgjakshëm për trupat ndërkombëtare që prej rrëzimit të talebanëve nga pushteti në vitin 2001.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›