E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunet Ndërkombëtarët kërkojnë njëzëri shtyrjen e draftit

20/12/2008  Sekretarja e shoqatës, Ndoci, i kërkoi së majtës të mos pezullojë procesin

Spiunët, të përndjekurit kërkojnë miratimin e projektit

Përkrah dmokratëve për miratimin e projektligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë, administratës publike dhe të të zgjedhurve”, projekt që synon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, është rreshtuar edhe shoqata e ish-të përndjekurve politikë. Sekretarja e kësaj shoqate Liljana Ndoci, gjatë një konference për shtyp, ndërsa vlerësoi se ligji është i butë, i kërkoi Kuvendi ta miratojë sa më shpejt këtë ligj. “Drejtuesit e së majtës, duke pretenduar se ligji shkel Kushtetutën shqiptare dhe Rezolutën e KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit, po i dalin zot krimeve monstruoze të komunizmit, duke bërë kështu avokaturën më të turpshme të sistemit më çnjerëzor që ka njohur njerëzimi që nga lindja e tij. Ne kundërshtojmë me neveri qëndrimet e këtyre zotërinjve, që origjina e tyre komuniste mban peng ndërgjegjen e tyre të turbullt”, - tha ajo. Për sekretaren e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë e majta shqiptare kërkon të lërë në harresë vuajtjet dhe persekutimin e misionarëve të lirisë dhe demokracisë, duke shtyrë në kalendat greke këtë ligj qenësor për shoqërinë shqiptare, që synon të integrohet në Evropë. Ndoci i bëri thirrje kryeparlamentares Topalli dhe Kryeministrit Berisha të miratojnë ligjin sa më parë. “U bëjmë thirrje së djathtës dhe së majtës në Kuvend, Kryetares Jozefina Topalli, Kryeministrit Berisha të këmbëngulin që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht nga fakti se duhej të ishte me sanksione më të rënda për ish-persekutorët tanë. Gjykatësit dhe prokurorët që dënuan me vdekje poetët, deputetët, fjalën e lirë, nuk mund të bëjnë më drejtësi në demokraci”, - përfundoi ajo.

Në pikëpyetje votimi i “dosjeve” të hënën

Mazhoranca qeverisëse gjendet në dilemë për mënyrën e procedimit me projektligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve”, në seancën e së hënës, kohë kur u paralajmërua nga kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi miratimi i tij. Pritet që Kuvendi të mos miratojë siç kish premtuar në seancën e afërt ligjin për dosjet. Nga njëra anë janë është kërkesa e ndërkombëtarëve dhe e opozitës për miratimin e një projekti që të respektojë Kushtetutën, ndërsa në anën tjetër qëndron ftesa e socialistëve për të rishikuar edhe njëherë këtë projektligj. Funksionarë të lartë të Partisë Demokratike hezitojnë të përgjigjen rreth asaj se çfarë do të ndodhë në seancën e të hënës me projektligjin për dosjet. Burime nga kjo parti deklarojnë se janë në pritje të zhvillimeve që mund të ndodhin këto dy ditë dhe se vendimi do të merret në mbledhjen e Grupit parlamentar që zhvillohet çdo të hënë në mesditë.

Ndërkombëtarët intensifikojnë përpjekjet e tyre për të bindur politikën shqiptare në gjetjen e një konsensusi për ligjin e dosjeve. Pasditen e djeshme ambasadori i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë Xhon Uidhers ka shkruar të takojë në zyrën e saj në Kryesinë e Kuvendit Kryetaren Jozefina Topallin për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Takimi kokë më kokë mes palëve është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth një orë. Takimi që qeveria amerikane ka ndërmarrë me drejtues shqiptarë në kuadër të shqetësimit të tyre për projektin e dosjeve vjen pas përshëndetjes publike që ajo i bëri vendimit të Kuvendit menjëherë pas shtyrjes së votimit të këtij drafti. Ndërkohë po dje të njëjtin shqetësim për këtë projekt ka shprehur edhe ambasada britanike në Tiranë, e cila përmes një deklarate për shtyp i ka kërkuar Parlamentit shqiptar të mos nxitohet në miratimin e projektit. Ajo u sugjeron ligjvënësve që ligji të kalojë mes konsultimesh dhe debatesh gjithëpërfshirëse. “Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projektligjit ‘Për pastërtinë e figurës’. Ka shumë rëndësi që një ligji me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtar. Procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne mendojmë se shtyrja e procesit të votimit për të lejuar konsultime dhe debate publike më gjithëpërfshirëse do të ishte një hap pozitiv dhe i mirëpritur”, - thuhet në deklaratën për shtyp të ambasadës britanike. Jo më larg se dy ditë më parë edhe kreu i zyrës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch, kërkoi që drafti të përfshijë edhe mendimin e ekspertëve. “Çdo qytetar duhet të gëzojë të gjitha të drejtat për të njohur të kaluarën e vendit të tij. Është për t’u përshëndetur procesi për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, por përpara se drafti të marrë formën përfundimtare, duhet që ai të përfshijë edhe mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë”, - tha Bosch.

Ligji për dosjet

Ligji do të përcaktojë subjektet dhe funksionet e larta shtetërore që janë të papajtueshme me veprimtarinë politike të zyrtarit për shkak të qenies si drejtues, anëtar ose bashkëpunëtor në strukturat politikëbërësë dhe zbatuese të dhunës së diktaturës për periudhën 29 nëntor 1944–8 dhjetor 1990, rastet e papajtueshmërisë dhe procedurat e verifikimit.

Subjekti që verifikohet i papajtueshëm me funksionet e parashikuara në ligj duhet të japë dorëheqjen nga detyra e tij, çështja arkivohet dhe materiali verifikues mbetet kofidencial.

Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me dosjen që përmban të dhënat e tij personale. Ai paraqet kërkesën dhe merr përgjigje nga Autoriteti brenda 30 ditëve. Nëse kjo kërkesë është pozitive, ai njihet me të dhënat personale, por jo me emrat e personave të tretë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›