E Shtunë, 31 Tetor 2026

Re e vjehërr: armiket shekullore

Zëra Femërorë

“Nuset edhe sikur të jenë në hënë, shigjetat me helm i hedhin te vjehrrat në tokë”. Re e vjehërr, është kjo lufta shekullore mes dy brezave që bëhet për të njëjtin trofe, mashkullin. Nga njëra anë është nëna-vjehërr që thotë “djali im” e në anën tjetër është femra–nuse që thotë “burri im”. Përplasjet mes këtyre dy palëve janë të vazhdueshme dhe gati–gati të përgjakshme. Nuset flasin me një inat të jashtëzakonshëm kundër vjehrrave duke arritur deri aty sa të urojnë edhe vdekjen e tyre, ndërsa vjehrrat në anën tjetër turfullojnë nga sjelljet e padrejta të nuses dhe luftojnë në heshtje apo hapur kundër rivaleve të sapoardhura. Në mes dy llogoreve qëndron ai mashkulli, i cili deri më dje lahej, ndërrohej, e ushqehej nga nëna, e cila e shihte si dritën e syve, së cilës tani i duhet të rrijë me duart mbledhur dhe të shohë sesi vendi i saj zëvendësohet kaq lehtë nga një grua tjetër së cilës mashkulli i fal dashuri, e krijon familje. Procesi është kaq natyral, por edhe dhe kaq i dhimbshëm.

Edhe pse nënat janë ato që mezi presin t’i shohin të martuar fëmijët djem, nuk arrijnë dot të dorëzojnë çelësat e kështjellës. Ato duan sërish të dëgjohen, të komandojnë, të bëjnë ligjin me pak fjalë e të kenë vendin kryesor në piramidën e dashurisë. E nëse shohin se nusja nuk ka atë kujdes ndaj djalit të saj, siç kishte ajo dikur, atëherë hidhen në një sulm të papërmbajtshëm, duke e akuzuar nusen si të paaftë për të mbajtur një burrë, duke harruar kështu se roli i një nuseje nuk është të bëjë nënën, por të bëjë bashkëshorten. Nënat-vjehrra edhe pse e dinë që duhet t’i dorëzojnë frerët nuk janë gati ta bëjnë këtë, dhe me mund përpiqen t’i shtrëngojnë akoma me sa fuqi kanë fijet e kujdesit për birin e tyre, kjo derisa një ditë lodhen e dorëzohen. Të rralla janë ato nëna të cilat e kuptojnë se marrëdhënia nënë-bir tanimë duhet të kalojë në një stad tjetër, ku nëna nuk do të jetë më kujdestarja, por thjesht një këshilluese e mirë për djalin dhe një gjyshe e mirë për nipërit e mbesat. Por ndërsa për nënat është e dhimbshme të shohin teksa “djemtë u ikin nga duart” për nuset e reja është krejtësisht e pakuptueshme kjo sjellje e vjehrrave. Nuset pretendojnë se me t’u shfaqur ato në skenë, nëna duhet të bëhet ajër, e të avullojë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Me të ardhur, nuset kërkojnë të pushtojnë të gjitha pozicionet e vjehrrës duke e lënë atë në një qoshe të errët ku të punojë me shtiza, e të shohë telenovela. Pandjeshmëria dhe egoizmi i këtyre nuseve është për t’u habitur, dhe të detyron të ngresh një sërë pyetjesh. A nuk janë këto vajza-bija-nuse që kudo ku shkojnë bëjnë të pamundurën për të mbajtur me vete dashurinë dhe përkujdesjen e nënës? Si arrijnë të besojnë se brenda një ditë nëna do të pushojë së kujdesuri për fëmijën e saj? Si arrijnë t’i detyrojnë burrat t’u qëndrojnë larg nënave? Si munden të bëhen kaq egoiste e arrogante pa u kujdesur për një marrëdhënie kaq të thellë si ajo e nënës me birin, marrëdhënie që ka nisur prej njëzetë apo tridhjetë vjetësh, pa përmendur ato nëntë muajt e rëndësishëm në barkun e nënës? Të gjitha këto pyetje bëhen edhe më të forta kur këto nuse bëhen vetë nëna djemsh dhe me një punë të palodhshme kërkojnë dhe arrijnë që fëmija të jetë vetëm i tyre, të dojë vetëm atë, nënën, t’i drejtohet vetëm asaj, dhe të dëgjojë vetëm atë. Të mos guxojë kush t’i dalë kundër, t’ia prekë këtë dashuri, ku padyshim nuk ka vend askush tjetër, as babai, as vjehrra. Madje arroganca arrin deri aty, sa këto nëna të reja mburren me dashurinë dhe varësinë që biri ka arritur ndaj tyre, duke përsëritur pikërisht atë sjellje të cilën ato janë duke e luftuar dhe duke e sulmuar te marrëdhënia mes burrit dhe nënës së tij. Duket kështu se problemi nis nga edukimi fillestar. Nënat i rrisin fëmijët djem si të ishin prona e tyre. I edukojnë duke i shtrënguar dhe forcuar në një darë të fortë nga e cila fëmijët shpëtojnë vetëm kur rriten për të kaluar në atë darën tjetër shtrënguese, në atë të nuses.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron i gjithë problemi. Nënat dhe nuset e shohin djalin–burrë si pronën e tyre dhe kështu nis lufta e territoreve, njëra nuk do të lëshojë e tjetra kërkon të pushtojë. Ndoshta nuset e reja duhet të fillojnë të kuptojnë se mashkulli- djalë nuk duhet të jetë pronë e askujt, dhe nuset tashmë nëna të reja kanë mundësi ta përmirësojnë pak nga pak këtë luftë shekullore, duke nisur të ndryshojnë raportin me fëmijët meshkuj, duke larguar egoizmin e duke i parë ata si individë të lirë që do të rriten me dashurinë e painteres të nënës, dhe që një ditë do të bëjnë zgjedhjet e tyre, do të krijojnë familjen e tyre, dhe nëse nënat kanë bërë punë të mirë për bijtë ato nuk do të veçohen në një cep, por do të ngrihen në piedestal.

E në fund, ndoshta duhet të kuptojmë se shprehja: “Nusja apo vjehrra nuk më do” nuk ka vlerë. Mes nuses dhe vjehrrës nuk ka pse të ketë dashuri. Shtresa e parë ku duhet të bazohet kjo marrëdhënie duhet të jetë respekti. E më vonë nëse vjehrra dhe nusja, si dy krahë të rëndësishëm të djalit-burrë do ta kuptojnë rolin e njëra-tjetrës dhe do ta respektojnë atë, edhe mund të nisin të duhen si nënë e bijë, por kjo s’mund të ndodhë kurrë, pa dorëzimin e disa fijeve nga ana e nënës, dhe pa mirëkuptimin e plotë nga ana e nuses.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›