E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimet pas ndeshjes Arsenal-Milan

Ia vlen të dëgjosh gjatë protagonistët dhe të flasësh vetë shumë pak pas asaj epopeje në Londër. Milani shpëtoi në fije të perit në fushën e Arsenalit në Champions, pas humbjes 0-3, veçse trajneri Masimiliano Alegri nuk e humb besimin tek të tijtë.
“Mendoj se në pjesën e parë vuajtëm shumë nga loja e Arsenalit. Ne ishim poshtë tyre, nuk e kontrolluam dot topin dhe kjo për meritë të Arsenalit. Mendoj se luajtëm një pjesë të dytë fantastike duke i lejuar kundërshtarit vetëm një rast. Në pushim i thashë lojtarëve se nuk mund ta ndryshonin rezultatin e pjesës së parë, por kishin mundësi për t’u kualifikuar. E dimë se do të kemi përballë sfida edhe më të vështira, por kjo humbje nuk ndryshon mendimin tim për skuadrën time. Kur të na kthehen të dëmtuarit, do të luajmë më mirë se kaq”-u shpreh Alegri
Arsen Venger e di mirë se në Champions nuk kualifikohesh dot vetëm me 90 minuta lojë, sado të shkëlqyera.
“Ne dhamë një paraqitje të madhe dhe iu afruam kualifikimit. Ne e patëm mundësinë, nuk e shfrytëzuam plotësisht, por ishim shumë pranë. Vuajtëm fizikisht në nisje të pjesës së parë pasi shpenzuam shumë energji në Liverpul në kampionat. Më vjen keq për humbjen e parë, pasi kurrë nuk kishim humbur 0-4. As përballë Realit apo Barcelonës. Ne kemi luajtur në Champions me ekipe më të mirë se Milani. Por, lojtarët e mi duhet të jenë krenarë për këtë që bënë, veçse në këtë nivel është vështirë të kualifikohesh kur nuk luan 90 minuta”- tha Venger
Milani është tronditur, ndoshta ridimensionuar, por historia e klubit kërkon gjithnjë maksimumin. Sa për Arsenalin, e ardhmja duket shumë e mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›