Real e Beckham nuk vazhdojnë kontratën

Kontrata e Real Madridit me futbollistin anglez David Beckham nuk është rinovuar, ka thënë drejtori sportiv i skuadrës "merengues", Predrag Mijatovic. Ish-kapiteni i kombëtares angleze do të përfundojë kontratën aktuale me Realin në fund të këtij sezoni dhe Mijatovic i ka deklaruar kanalit televiziv "Sky Italia" se "kontrata nuk është rinovuar". Beckham i cili më parë kishte qenë pjesë e Manchester United kishte kaluar në Spanjë në vitin 2003 pasi kishte prishur marrëdhëniet me trajnerin Alex Ferguson.
Ai ishte një nga blerjet e mëdha të Realit që sëbashku me francezin Zinedine Zidane, brazilianët Ronaldo e Roberto Carlos dhe portugezin Luis Figo filluan të quheshin "galaktikët". Real nuk kishte arritur që të fitojë asnjë trofe që prej kohës që Beckham i ishte bashkuar skuadrës, ndërsa anglezi nuk ka arritur që të sigurojë një vend titullari.