Reali, 2.5 mln euro për të luajtur në Tiranë

(ALBANIA SPORT) – Reali i Madridit do të përfitojë 2.5 milionë euro për të luajtur në Tiranë ndeshjen miqësore me Gramozin e Ersekës, skuadrën modeste të Superligës e që për momentin ndodhet në vendin e fundit të Kategorisë Superiore, një shumë më e madhe se ajo që është paguar në dy ardhjet e Milanit në Tiranë (1.5 milionë euro për një miqësore).
Lajmi është dhënë nga agjencia e lajmeve spanjolle, EFE, që nga ana e saj i referohet shtypit iberik, por edhe thekson faktin se shifra e bujshme nuk është konfirmuar deri tani nga shtypi shqiptar.
Ndeshja e luksit e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut “Taçi Oil” do të luhet, më 20 janar 2010 në orën 17:00 në impiantin ndërkombëtar kryeqytetas, “Qemal Stafa”.
Lajmi i ardhjes për herë të parë të Realit të Madridit në Shqipëri, i skuadrës “mbretërore” 30 herë kampione të Spanjës dhe 9 herë fituese të Ligës së Kampioneve, ka bërë bujë të madhe në mediat spanjolle, e që po i kushtojnë vazhdimisht vëmendje duke dhënë detaje të ndryshme.
Gazeta më popullore sportive në Spanjë, “Marca”, thekson faktin se Reali i Kristiano Ronaldos dhe Kakasë (ky i fundit ka ardhur në Shqipëri në përbërje të Milanit) është ftuar nga një prej biznesmenëve më të mëdhenj në vend dhe manjati i naftës, Rezart Taçi, babai i të cilit është presidenti i Gramozit të Ersekës.
“Marca” citon zëdhënësin e kompanisë “Taçi Oil”, Milton Nushi: “Kontrata është firmosur dhe gjithashtu dhe lista e lojtarëve që do të vijnë për ndeshjen e datës 20. Nuk do të ketë asnjë mungesë, Ekipi do të jetë i plotë, përfshirë edhe presidentin Florentin Perez.
Në fakt, ndeshja ishte paraplanifikuar për tu luajtur gjatë Krishtlindjeve, në dhjetorin e vitit të kaluar, por angazhimet e Realit e bënë të pamundur ardhjen në Tiranë.
Skuadra e Realit të Madridit do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10 të paradites së 20 janarit, ndërkohë që besohet se do të pritet me entuziazëm në areoportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gramozi do të përforcohet edhe me lojtarë nga kampionati shqiptar, kryesisht nga Tirana e Besa.
Gjithsesi, media spanjolle nuk lë pa përmendur edhe faktin se milioneri i ri shqiptar 38-vjeçar, i apasionuar pas futbollit italian befasoi botën sportive vitin e kaluar teksa tentoi të blinte ekipet e Bolonjës dhe Milanit, këtë të fundit në shumën e 700 milionë eurove, por dhe faktin e agresionit ndaj gazetarit Mero Baze, 15 ditët e tij në dhomën e paraburgimit dhe shumën e paguar prej 100 mijë eurosh për lirimin me kusht.
Pas klubit italian të Milanit, që erdhi dy herë në Tiranë, tetor 2008 (humbi me Tiranën, 2-1) dhe maj 2009 (fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren), Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri. Kështu, në Tiranë do të vijnë yje si Kaka (erdhi edhe me Milanin), Kristiano Ronaldo, Raul Gonzales, Iker Kazijas etj.