E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali: Ibrahimoviç nuk na intereson

Real Madrid nuk është i interesuar për Zlatan Ibrahimoviç. Këtë e ka thënë Horge Valdano, drejtori sportiv i madrilenëve, në një intervistë për radio "Marça". "Kanë shkruar se do të marrim Forlanin dhe Ibrahimoviç, por nuk do të vijë as njëri e as tjetri, ka shpjeguar drejtori sportiv i Realit. Kërkojmë ende një sulmues, kemi dy apo tre alternativa, por këto nuk janë as interisti, as sulmuesi i Atletikos". I njëjti diskutim vlen edhe për Riberinë, për të cilin Zidan thotë "i mrekullueshëm, por kushton shumë", ka përfunduar Valdano. Drejtori sportiv më pas ka sqaruar tratativën për Vijan: "Nëse Barcelona ofron 50 milionë, Bojan e Kaseres, po të isha unë drejtues i Valencias, do ta lejoja Vijën të ikte, sepse ne kurrë nuk do të arrijmë një shifër të tillë, shpjegon Valdano. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar në këtë pistë. Tratativa dukej në rrugë të mbarë, por ndërhyri dikush në mes dhe çmimi u ngrit shumë lart". Por kemi bërë edhe disa blerje si Kaka e Ronaldo: "Strategjia e Realit është ajo e afrimit të kampionëve të mëdhenj. E nisëm shpejt merkaton dhe bëmë disa blerje që kanë kënaqur Pelegrinin. Ku i mori gjithë ato para Real Madrid? Kësaj pyetje, të bërë nga Barcelona pas blerjes së Kaka e Kristiano Ronaldos për rreth 153 milionë euro, dhe që ka çuditur gjithë Evropën sportive, i është përgjigjur me qetësi absolute presidenti Florentino Perez: "Do të ngremë vlerën e klubit, do të mbledhim më shumë të ardhura nga biletat dhe do të marrim hua nga bankat". Nuk gënjente Don Florentino, pasi dje dy banka spanjolle i kanë dhënë Realit një kredi prej 150 milionë eurosh për blerjet e dy xhevahireve të Milanit dhe Mançester Junajtid. Dy institutet bankare janë "Banco Santander" e "Çaja Madrid". Klubi u ka dhënë si garanci bankave të drejtat televizive, që parashikohet të mbahen nga grupi "Mediapro" (për rreth 600 milionë euro). Të dyja bankat nga ana e tyre e konsiderojnë si një operacion pa risk kredinë e Realit, duke i besuar Perezit, sipas të cilit blerjet e lojtarëve të rëndësishëm do t‘i dyfishojnë të ardhurat e klubit. Shembulli pragmatik është ai i vetë Florentinos me Zidanin, i paguar për 73 milionë euro në 2001-shin. "Kjo blerje, theksoi presidenti, i katërfishoi të ardhurat e klubit". Epoka e re galaktike e Florentino Perez kalon edhe nga këto llogari, të cilat "nuk e skandalizojnë" por "e befasojnë" ministren spanjolle të Ekonomisë, Elena Salgado.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›