Reali i Madridit, 19 milionë euro në sezon Kristiano Ronaldos
Reali i Madridit është i gatshëm të paguajë 300 mijë sterlina neto rrogë javore (afro 379 mijë euro), me synimin e vetëm që të bindë Kristiano Ronaldon të transferohet në Spanjë. Lajmi është bërë i ditur nga "Daily Express", që shpjegon se kontrata faraonike prej 5 vjetësh me rrogë 15 milionë sterlina, duke përjashtuar taksat (pothuajse 19 milionë euro), është arsyeja e vërtetë përse mesfushori portugez dëshiron të largohet nga Mançester Junajted. Madrilenët e kanë paraqitur ofertën me formulën "pranoje, ose mos e prano", me fjalë të tjera, ose tani ose kurrë më, pasi për vitin e ardhshëm në "shënjestër" mund të jetë një tjetër yll i futbollit botëror. Gazeta britanike nënvijëzonte gjithashtu se Ronaldo ka folur me trajnerin Luis Felipe Skolari rreth kësaj oferte dhe drejtuesi i stolit portugez e ka këshilluar ta pranojë. Gjithsesi, më parë duhet gjetur marrëveshja me Junajted: Ferguson dhe familja Glejzërs (pronarët e kampionëve të Evropës) janë shprehur kundër transferimit. Deri më tani, Ronaldo ka refuzuar të flasë publikisht rreth synimeve për të ardhmen, duke rritur spekulimet. Jo më kot, presidenti "merengues", Ramon Kalderon, vazhdon të theksojë se tashmë çështja duhet të zgjidhet ndërmjet lojtarit e Mançesterit dhe se Reali është në pritje të zhvillimeve të reja. Por, ndërkohë që në "Bernabeu" presin, Barcelona mund të bëjë lëvizjen e befasishme, duke u futur kështu në garën për portugezin. Sponsor i klubit katalan është "Nike", që preferon ta shohë Ronaldon me fanellën "blaugrana" dhe jo me atë të Realit, që sponsorizohet nga kompania rivale, "Adidas". Sipas "Daily Telegraph", pas këtij operacioni qëndron Sandro Rosel, ish-drejtues i "Nike", që në të kaluarën ka qenë edhe zv/president i Barçës. Ai është kundërshtari kryesor i Laportës për postin më të rëndësishëm në klub dhe Kristiano Ronaldo është lojtari që mund t‘i siguronte mandatin si president.