E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romela Begaj: Pas Olimpiadës Pekin 2008 mund të largohem

Pakënaqësitë e sportistëve elitarë në vend për mënyrën se si trajtohen nga shteti vazhdojnë. Së fundmi, në skenë ka dalë Romela Begaj, kampionia e Evropës në stilin e shkëputjes në peshën 58 kilogramë dhe nënkampione në dygarësh. Ajo ka deklaruar se shteti i detyrohet 130 milionë lekë të vjetra në formën e shpërblimeve për arritje të larta sportive. Begaj nuk ka nguruar të kërcënojë se do të largohet nga Shqipëria, duke deklaruar se ka katër oferta nga vende të tjera, mes të cilave është edhe Greqia. "Nuk kam marrë asnjë shpërblim për rezultatet sportive. Gjithçka që del nga zyrat e Ministrisë së Sporteve për shpërblime e gjëra të tilla janë thjesht fjalë. Deri më tani, shteti më detyrohet 130 milionë lekë të vjetra, duke përfshirë këtu edhe shpërblimet e vitit të kaluar", tha fituesja e tre medaljeve në Evropianin për të rritur të zhvilluar gjatë muajit prill në Linjano. Begaj fitoi ar në shkëputje, bronz në shtytje dhe argjend në dygarësh. E gjithë përplasja ndodh për faktin se MTKRS-ja nuk i njeh për shpërblime medaljet në dy stilet (shkëputje dhe shtytje), pavarësisht se triumfi aty i jep peshëngritësve statusin e kampionit. Për zyrtarët ekziston vetëm klasifikimi në dygarësh: "Janë edhe lekët e këtyre tre medaljeve, por pritja e këtyre shpërblimeve kushtëzohet nga ligji. Megjithatë, në Shqipëri ndodh diçka shumë e çuditshme: për shpërblimet kërkohet një letër nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, që konfirmon se sportisti është i pastër (pa doping). Kjo është një ulje që i bëhet sportistëve shqiptarë, pasi nuk ndodh në asnjë shtet tjetër. Në vendet e tjera, sportisti shpërblehet menjëherë pasi ka fituar". Më tej kërcënimi për t‘u larguar: "Po më detyrojnë të largohem, se në këtë mënyrë nuk bëhet sport, vazhdoi Begaj. Ata kujtohen për ne vetëm në momentin që largohemi, qajnë për faktin që na humbasin, ose na akuzojnë që jemi tradhtarë. Personalisht kam oferta nga katër shtete, që më kërkojnë të garoj për flamurin e tyre, e mes tyre është edhe Greqia". Megjithatë, më parë, kampionia e shtangës është e përqendruar te Lojërat Olimpike, Pekin 2008. "Fillimisht do të shkoj në Olimpiadë. Këtë do ta bëj edhe pse nuk më kanë dhënë shpërblimet që meritoj. Aty synoj të fitoj medalje, duke u klasifikuar mes tre të parave në peshën time, theksoi ajo. Vetëm pasi të kthehem nga Kina do të vendos se çfarë do të bëj. Kjo gjithmonë duke vlerësuar reagimet e institucioneve përkatëse rreth kërkesave të mia".

Rreth kësaj polemike, dje, në "Top Channel", ka folur zëvendësministri i Sporteve, Ekrem Spahia. Ai tha: "Jemi në demokraci, liria e fjalës garantohet me ligj, por kjo nuk do të thotë që (Romela Begaj) ka të drejtë. Zonjusha është shpërblyer përpara marrjes së medaljes së argjendtë. Për koincidencë, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka konfirmuar sot (dje), data 5 qershor se Romela Begaj është fituese e medaljes së argjendtë. Po sot (dje), i kemi dërguar Këshillit të Ministrave kërkesën për të shpërblyer këtë sportiste".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›