Reali kërkon Murinjon, portugezi përgënjeshtron
Reali i Madridit duket seriozisht i interesuar që të emërojë Zhoze Murinjon në krye të skuadrës. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta iberike, “Marca”, e cila në faqen e parë përdorte titullin “Contactos con Mourinho”. Hipoteza, sipas së cilës trajneri portugez do të marrë drejtimin e “galaktikëve”, i referohet së ardhmes së afërt: sipas së përditshmes madrilene, ekziston mundësia që tekniku të prishë kontratën aktuale me Interin. Në fakt, duke shfrytëzuar një klauzolë “të posaçme”, Murinjo mund të fluturojë drejt La Ligas spanjolle. “Reali po studion mundësinë për të marrë trajnerin luzitan. Nëse edhe ai dëshiron të punojë në ‘Santiago Bernabeu’, e ka mundësinë që në qershor të prishë kontratën me Interin”, shkruante gazeta. Gjithçka ka lindur pas humbjes 1-0 në fushën e Lionit, për sfidën e parë të 1/8-ve në Champions League. E ardhmja e trajnerit Manuel Pelegrini është vënë seriozisht në dyshim, madje ai ka qenë i akuzuari kryesor për paraqitjen e dobët të Realit dhe për taktikat e përdorura në “Stade Gerland”. Eliminimi do të ishte i papranueshëm dhe për këtë arsye, drejtuesit në Madrid kanë nisur negociatat me përfaqësuesit e Murinjos, të cilët janë të gatshëm të shqyrtojnë ofertën. “Marca” theksonte se drejtuesi i stolit zikaltër mund të “lirohet” nëpërmjet një klauzole, sipas së cilës do t’i paguajë Interit 7 milionë euro. Por, trajneri 47-vjeçar ka përgënjeshtruar gjithçka. Ai tha: “ekzistojnë disa gazeta të pandershme, të cilat vetëm spekulojnë. Nuk dua të bëhem pjesë e kësaj loje, që nuk është e imja”.
#