UEFA pezullon gjyqtarin skandaloz Tom Ovrebo
Sezoni i Champions League ka përfunduar përpara kohe për gjyqtarin Tom Hening Ovrebo. Goli në pozicion të dukshëm jashtë loje i Miroslav Kloses, i cili i dhuroi Bajernit fitoren 2-1 me Fiorentinën, ka sjellë një pezullim afatgjatë për “bilbilin” norvegjez. E enjtja ka qenë një ditë e mbushur me polemika në Nion, edhe për faktin se Ovrebo arbitroi në mënyrë skandaloze nën sytë e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. Në fund të takimit, ish-sulmuesi i përfaqësueses franceze ishte dukshëm në siklet, pasi gabimet e “xhaketave të zeza” i shkaktuan një dëm shumë të madh aktivitetit më prestigjioz dhe më të pasur për klube. Për më tepër, Platinisë i është dashur të justifikohet te presidenti i Fiorentinës, Dela Vale dhe te presidenti i Federatës Italiane, Xhankarlo Abate. Në këtë situatë nuk bëhet fjalë thjesht për interesat e klubit nga Firence, por edhe të futbollit italian në përgjithësi: Seria A rrezikon të humbasë skuadrën e katërt në Champions, ndërsa rivalja kryesore është pikërisht Bundesliga gjermane. Arbitri Ovrebo do të “ndëshkohet”. Vendimin përfundimtar do ta marrë Komisioni i Gjyqtarëve i UEFA-s, pjesë e të cilit është edhe Pierluixhi Kolina. Platini nga ana tjetër, ka pretenduar më tepër kujdes, pasi në sfidën Bajern-Fiorentina, “bilbili” ishte jashtë forme: mbipeshë, i papërgatitur në aspektin atletik e pak i përqendruar, edhe për faktin se në Norvegji është pauza e kampionatit. Ovrebo kishte reputacion të mirë dhe gëzonte mbështetjen e drejtuesve në Nion, pavarësisht se gjatë vitit të kaluar kishte gabuar edhe në ndeshjen çelsi-Barcelona.
#