E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali kundër tabusë Lion Murinjo snobon historinë

SPANJE- Zhoze Murinjo është paraqitur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Lionin i vendosur, i sigurt, pa dëshirë për të bërë polemika dhe pa dërguar mesazhe të koduara. Lioni nuk ka humbur kurrë në “Bernabeu” dhe në sezonin e shkuar eliminoi Realin e Pelegrinit. Ka 6 vjet që madrilenët dalin jashtë Champions League që në të tetat e finales. “Kemi të gjithë një të shkuar negative ose pozitive, por historia jonë personale nuk ka lidhje. Rekordi im personal nuk do të na ndihmojë, ashtu si nuk do të ndikojë për keq rekordi i Realit në vitet e fundit, - deklaroi Murinjo para gazetarëve. – Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, kualifikimi është i hapur. Ne kemi një avantazh të vogël, sepse nesër në fillim të ndeshjes do të jemi të kualifikuar. Por, është një diferencë që ka pak rëndësi”, shtoi ai. Ndërkohë, Kristiano Ronaldo mbetet në dyshim. “Nuk do të pres orën e ndeshjes për të vendosur, s’kam asgjë për të fshehur, nëse mund të luajë OK, nëse jo, jo”, tha trajneri i Realit për të. Murinjo e ka krahasuar ndeshjen e së mërkurës me atë të Çelsi-Inter një vit më parë. “Po, është situatë e ngjashme, - tha ai. – Kur shkon në çerekfinale, finalja nuk duket më larg. Mbesin 8 skuadra, e ndjen që mund t’ia dalësh, atmosfera përmirësohet, tifozët nisin të kërkojnë bileta për në finale dhe vetvesimi rritet bashkë me dëshirën. Psikologjikisht ky është tur shumë i rëndësishëm. Por, ju them diçka: nëse me Lionin eliminohemi, do ta provojmë sërish vitin tjetër. Historia e këtij klubi, kampioni i kampionëve, duhet të na japë qetësi”. Shigjetimi i vetëm i Murinjos ka qenë për presidentin e Lionit Olas, që ka deklaruar se portugezi do të luajë për 0-0. “Ndoshta ka të drejtë, - deklaroi Murinjo. – Do të mbyllemi mbrapa, duke shpresuar që Kasijas të bëjë një seri mrekullish dhe kështu do të kalojmë ne. Ai ka folur si një trajner dhe më ka habitur, por kushedi, ndoshta na ka kuptuar”. Gjithsesi, të mërkurën do të shihet sesi do të luajë Reali.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›