E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali mirëpret Barcelonën

Futbollistët e Real Madridit insistojnë se do të jenë të lumtur nëse takohen me Barcelonën ose cilëndo skuadër tjetër në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjiganti madrilen siguroi kualifikimin me fitoren 4-1 (5-2) në shtëpi ndaj CSKA Moskës të mërkurën. Rivali i tyre nga La Liga synon të mbrojë kurorën e Evropës dhe pavarësisht humbjes nga ta në gjysmëfinale të edicionit të kaluar, mbrojtësi Sergio Ramos është shprehur i gatshëm të përballet me Barcelonën në rrethin e ardhshëm.

“Nëse ata kualifikohen tutje dhe ne vazhdojmë të bëjmë gjëra të mira, mund të ndeshemi në finale. Por, edhe nëse ndodh më herët në çerekfinale, nuk do të ketë problem”, tha Ramos.

Kurse mesfushori Xabi Alonso, i cili do të mungojë në takimin e parë çerekfinal për shkak të suspendimit pas ndëshkimit me karton të verdhë të mërkurën, po ashtu theksoi se skuadra nuk frikësohet nga një përballje e mundshme me Barcelonën.

“Shtatë skuadrat e mbetura e meritojnë të jenë këtu. Shorti të premten do të jetë interesant, por çerekfinalja është e rëndësishme pa marrë parasysh se kush do të jetë kundërshtari. Nuk ka ndeshje të lehta dhe nëse shorti na cakton Barcelonën, ne do të luftojmë deri në fund”, deklaroi Alonso.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›