Fullani kundërshton Berishën, shpenzimet buxhetore u rritën me 4 për qind
Banka e Shqipërisë ka evidentuar se shpenzimet buxhetore gjatë këtij viti janë rritur me 4 për qind. Për të njëjtën periudhë kryeministri i vendit ka deklaruar të tjera shifra, sipas të cilave shpenzimet qeveritare jo vetëm që nuk janë rritur por kanë shënuar një ulje të ndjeshme.
Shpenzimet buxhetore janë rritur me rreth 4 për qind në terma vjetorë. Nga ana tjetër, ngadalësimi i kërkesës vazhdon të diktojë ritme të ulëta të rritjes së të ardhurave buxhetore, thuhet në raportin e Bankës Qendrore për tremujorin e parë të këtij viti, publikuar në një raport të plotë mbi politikat monetare. Pas evidentimit të rritjes së shpenzimeve dhe pakësimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit Banka e Shqipërisë inkurajon marrjen e masave që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve fiskalë, duke kërkuar në këtë optikë monitorimin dhe korrektimin e vazhdueshëm të tyre gjatë vitit. Sipas bankës ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme do të ndihmojë konsolidimin e treguesve fiskalë në nivele të shëndetshme, duke i shërbyer kështu më mirë qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë në afat të gjatë. Dy muajt e parë të vitit janë karakterizuar nga një vazhdimësi e ecurisë pozitive të treguesve monetarë. Oferta e parasë është rritur mesatarisht me 8.3 për qind në terma vjetorë, e mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave në valutë. Ndërmjetësimi i ulët i sistemit bankar ka krijuar pak hapësira për rritjen e parasë së gjerë në ekonomi.
Tregjet
Tregjet financiare janë karakterizuar nga norma në rënie të interesit, nivele të ulëta të rrezikut dhe rritje të tregtimit. Megjithatë, pritjet për nivele të ulëta të kreditimit gjatë vitit 2010, në kushtet e tërheqjes së stimujve monetarë dhe fiskalë në pjesën më të madhe të vendeve dhe nivelet ende të larta të papunësisë, do të kushtëzojnë ecurinë e kërkesës agregate në botë. Informacioni statistikor, i cili mbulon me shifra ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të parë të vitit, është i pjesshëm. Megjithatë, analiza e zhvillimeve fiskale dhe monetare, ecuria e inflacionit dhe ajo e sektorit të jashtëm të ekonomisë, si dhe informacioni cilësor i përftuar nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet vrojtimeve të kryera prej saj, mundësojnë krijimin e një tabloje të përgjithshme të zhvillimeve ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia vendase shënoi një rritje pozitive prej 3.3 për qind gjatë vitit 2009. Pas normave pozitive të rritjes të regjistruara gjatë nëntë muajve të parë, aktiviteti ekonomik është kontraktuar në tremujorin e fundit të vitit 2009. Bazuar në të dhënat paraprake, prodhimi i brendshëm bruto ra me 0.8 për qind në terma vjetorë gjatë këtij tremujori.
Politika monetare
Në përputhje me strategjinë e saj për periudhën 2009-2011, Banka e Shqipërisë angazhohet në arritjen dhe ruajtjen e inflacionit vjetor në nivelin 3.0 për qind, me kufij tolerance +/- 1 pikë përqindjeje. Shpallja e objektivit sasior për inflacionin synon ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë dhe uljen e primeve të rrezikut. Në përmbushje të këtij qëllimi dhe për të forcuar transparencën e saj, Banka e Shqipërisë përgatit dhe publikon Raportin e Politikës Monetare. Ky Raport është instrumenti kryesor i komunikimit të politikës monetare me publikun. Ai paraqet një tablo gjithëpërfshirëse të zhvillimeve më të fundit makroekonomike dhe faktorëve që kanë ndikuar dhe priten të ndikojnë në ecurinë e çmimeve të konsumit në vend. Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit 2010 u miratua në 28 prill 2010 nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Analiza ekonomike në këtë raport mbështetet mbi të dhënat më të fundit statistikore dhe cilësore në dispozicion, deri më 20 prill 2010.
Tkurren kreditë
Kredia për individë vazhdon të tkurret me ritme të njëjta me ato të fundvitit të kaluar. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kërkesa për kredi mbetet e ulët, e kushtëzuar nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe sjellja më e kujdesshme e agjentëve ekonomikë në drejtim të kredimarrjes. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, në mbështetje të respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe të plotësimit të nevojave të ekonomisë për likuiditet. Ajo ka qenë e pranishme në tregun ndërbankar, duke ofruar likuiditetin e nevojshëm për një zhvillim normal të tregjeve financiare. Këto të fundit janë karakterizuar nga ulje të primeve të rrezikut, rritje të vëllimit të transaksioneve dhe prirje rënëse të normave të interesit. Me përmirësimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe normalizimit të primeve të rrezikut, në janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi të riaplikojë ankandet e marrëveshjes së riblerjes në formën standarde të tyre: operacione injektuese njëjavore me normë interesi konkurruese.
Deficiti tregtar ulet me 20 për qind
Të dhënat e fundit për sektorin e jashtëm të ekonomisë dëshmojnë për një ngushtim me rreth 19.6 për qind të deficitit tregtar për dy muajt e parë të vitit 2010. Ky zhvillim vlerësohet të lehtësojë presionet ndaj monedhës vendase për periudhën në vazhdim. Ulja e normës bazë të interesit me 100 pikë bazë gjatë vitit të kaluar është përcjellë në mënyrë asimetrike tek normat e interesit në tregun financiar. Sinjalet e dhëna nga autoriteti monetar kanë gjetur pasqyrim më të plotë në formimin e normave të depozitave sesa tek ato për kreditë. Pasiguria e lartë në lidhje me zhvillimet e ardhshme ekonomike, si dhe ecuria e cilësisë së portofolit të kredive kanë penguar transmetimin e plotë të vendimeve të politikës monetare. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të mbështesë sistemin bankar nëpërmjet injektimeve të likuiditetit me anë të operacioneve në tregun e hapur. Kjo politikë ka rezultuar në uljen e primeve të rrezikut në tregun ndërbankar. Mbështetur në përbërjen e aktiveve të sistemit bankar vlerësohet se likuiditeti i injektuar në sistemin bankar është kanalizuar në kredi për ekonominë në monedhën vendase. Përmirësimi gradual i situatës financiare të sistemit bankar.