E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebusi Maradona: Rriten shanset të qëndrojë

Argjentina Lionel Mesi shprehet në favor të qëndrimit të trajnerit në krye të përfaqësueses “albiceleste”

Stoli i përfaqësueses argjentinase do ta njohë të ardhmen pas pak orësh. Pas rikthimit në atdhe nga zhgënjimi në Afrikën e Jugut dhe qetësisë së gjatë, Maradona do të takohet ballë përballë me presidentin e federatës, Hulio Grondona, që sipas mediave ndërkombëtare do të jetë vendimtar. Së afërmi do të kuptohet nëse fraza e thënë nga “Pibe de Oro” vetëm dhjetë ditë më parë (“mjaft më, cikli im përfundoi, me këtë thashë gjithçka”) ishte thjesht mllefi i kushtëzuar nga hidhërimi momental, apo një vendim i pandryshueshëm. Kur mungojnë më pak se dy javë nga miqësorja me Irlandën e Trapatonit, nuk ka shumë kohë për të gjetur një zgjidhje. Përveç legjendës argjentinase, që me pavendosmërinë e tij po i mban të gjithë në ankth, rreth “telenovelës Maradona” janë shprehur thuajse të gjithë (tifozë, gazetarë, zyrtarë, idhuj të së kaluarës, madje edhe deputetë e ministra). Nga vila-“bunker” e Trebolit, në periferi të Buenos Aires, Diego nuk ka lënë asnjë hapësirë për hipoteza, por sipas të përditshmes “Ole”, ai duket se ka ndërmend ta vazhdojë punën, të paktën deri në edicionin e ardhshëm të Kupës së Amerikës, që do të zhvillohet pikërisht në Argjentinë.
Përgjigjja finale do të vijë pas takimit me Grondonën, që sipas gazetave “Ole” dhe “La Nacion”, mund të shndërrohet në një mundje krahu. Pak kohë më parë, kreu i AFA-s deklaroi se “Maradona është i vetmi argjentinas që mund të bëjë çfarë dëshiron”, duke e lënë çdo vendim në dorën e trajnerit. Një qëndrim i tillë është mbajtur edhe nga zyrtarët e tjerë të federatës, por kjo mund të jetë një strategji për ta shtyrë Maradonën që të flasë rreth së ardhmes, në mënyrë që të vlerësohet gatishmëria e tij për të bërë një pakt. Ndërkohë, rreth së ardhmes së stolit ka folur edhe ylli i Argjentinës, Lionel Mesi. Sulmuesi është shprehur se Maradona duhet të konfirmohet në detyrën e trajnerit, edhe pse pohon se vendimi përfundimtar i takon vetëm atij. “Dëshiroj që Diego të qëndrojë. Megjithatë, këtë vendim duhet ta marrë vetëm trajneri”, deklaroi Mesi nga Panamaja, ku do të marrë pjesë në një ndeshje bamirësie. “Duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen. Përpara na pret një miqësore dhe jemi vendi organizator i Kupës së Amerikës. Duhet të shohim përpara, të bëhemi më të fortë dhe të impenjohemi. Synonim të shkonim sa më larg në Kupën e Botës, por për fat të keq gjërat nuk shkuan ashtu si donim”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›