Të gjithë duan ta sfidojnë Spanjën, Pujol jep lamtumirën
Nëse keni vënë mënjanë një milion euro për ta bindur Spanjën të luajë një miqësore kundër jush, bëni mirë që të kërkoni edhe 500 mijë të tjera, ndryshe kampionët e botës nuk lëvizin. Triumfi në Afrikën e Jugut ka mbingarkuar telefonat, fakset dhe e-mail -et e federatës spanjolle (FEF): të gjithë duan ta sfidojnë “la Roja”-n. Të gjithë ata që mund t’ia lejojnë vetes, nënkuptohen: Kina, Katar, Kuvajti, por mbi të gjitha Brazili dhe Anglia. Dhe sipas “AS”, edhe Italia po e mendon një gjë të tillë. Sigurisht, kombëtarja e Del Boskes do të jetë në Meksikë më 11 gusht për 200-vjetorin e çlirimit të vendit, edhe pse klubet janë irrituar, pasi do të humbasin sërish lojtarët që sapo janë kthyer nga pushimet post-botëror. Pastaj është miqësorja e 7 shtatorit në “Monumental” të Buenos Aires, një ndeshje shumë tërheqëse me Argjentinën. Pjesa tjetër është më e vështirë për t’u organizuar, për shkak të eliminatoreve të Euro 2012 dhe të zemërimit të klubeve që “furnizojnë” me kampionë “Furitë e Kuqe”. Ekziston përshtypja se, në fund të fundit, koha për një vizitë në “Uemblli” dhe një në “Marakana” do të gjendet gjithsesi.
Lamtumirë Carlos — Sigurisht, ai që derdh 1.5 milionë euro për të ftuar Spanjën në vendin e tij, do kërkojë prezencën e heronjve të Johanesburgut. Por mes tyre nuk do të jetë Karles Pujol. Kapiteni i Barcelonës ka konfirmuar lamtumirën e tij nga Kombëtarja, me gjithë presionin e shokëve, të trajnerit Del Boske dhe të drejtorit teknik, Hierro, për t’i ndryshuar mendje. Ndeshjet e mbrojtësit katalan në kombëtare do të ndalen në kuotën 90 dhe me shumë mundësi do të jetë vendimi më i duhur: Pyjol ka luajtur një Botëror të madh dhe ka çuar Spanjën në finale me goditjen fituese me kokë ndaj Gjermanisë, por fiziku i tij ka dhënë shumë dhe e demonstrojnë 32 vitet e tij në kartën e identitetit. Për shembull, nëse “zanati” dhe mosfërshëllima e Ueb nuk do ta kishin ndihmuar, pasi ishte kaluar në shpejtësi nga Roben, ndoshta finalja me Holandën do kishte marrë një tjetër rrugë.
E ardhmja si kampionë – Por Spanja do të ecë përpara edhe pa "Charlie”. Dhe do të vazhdojë të fitojë, sepse është një kombëtare e re. Në 2006-n, Italia që fitoi Botërorin kishte një moshë mesatare 29.8 vjeç, ndërsa “la Roja” e ka 26.6. Post-Botërori do të jetë më i thjeshtë për t’u menaxhuar: Albiol do të marrë vendin e Puyol në qendër të mbrojtjes, Fabregas është i destinuar të jetë pasuesi i Ksavit në mesfushë, ndërsa Torres, Ramos, Vija, Injesta e Silva kanë ende shumë për të dhënë. Për të mos folur për ata që kanë përpara të paktën një 10-vjeçar ndeshje me bluzën e kuqe: Pedro, Pike, Buskets e Mata.
Ndryshim gjeneratash — Gjithsesi, Spanja e shijon grupin e saj të veteranëve e djemve, një miks fitues i eksperiencës dhe freskisë atletike, të lidhur nga vullneti i përbashkët për të arritur te rezultatet, duke kaluar nga një lojë spektakolare. Një formulë, e cila u “besohet” talenteve të rinj nën kujdesin e lojtarëve ekspertë, që ka funksionuar edhe në rastin e Gjermanisë, skuadrës që luajti futbollin më të mirë në Botëror, së bashku me Spanjën.
Kush është në vështirësi — Në vështirësi për ndryshime gjeneratash është Italia, që përbën dhe rastin më mbresëlënës, por edhe figura e shëmtuar e Anglisë të bën të reflektosh: Premier League është kampionat me nivel më të lartë se Seria A, por Kapelo drejtoi një kombëtare të lodhur dhe të vjetër. Edhe Brazili, në këtë sens, nuk i ka gjetur ende lojtarët e së ardhmes dhe nuk do ta ketë të lehtë. Për të mos folur për Francën.
#