E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebusi bërthamor i Indisë

02-05-2011 / Nga Jaswant Singh

Katastrofa bërthamore e Japonisë ka shkaktuar frikë dhe paqartësi te të gjithë prodhuesit botërorë të energjisë bërthamore. E India, një shtet i uritur për energji, është më shumë në rrezik. Ky faktor i frikës ka dy arsye kryesore. Edhe pse energjia bërthamore renditet si një burim “i pastër” për energji, ajo shoqërohet edhe nga një hije e tmerrshme e luftës bërthamore, e cila lindi nga përballja e fundit e Japonisë me katastrofë bërthamore, 65 vjet më parë në Hiroshimë dhe Nagasaki, dhe e cila ndërlidhet menjëherë me asgjësime në masë dhe vdekje. Për më tepër, “sekretet” e mbajtura për të gjitha gjërat “bërthamore” kanë lënë njerëzit pa informim të mjaftueshëm, duke i ndjerë të pasigurt.
Frika e inspiruar nga katastrofa në “Fukushima Daiichi” do të reflektohet me kosto të larta për energjinë bërthamore në të gjithë botën dhe do të përcillet me kërkesa për përmirësim të sigurisë dhe për nevojën e më shumë investimeve për shmangien e rreziqeve potenciale. Në të vërtetë, fabrikat bërthamore janë gjithnjë të prira për të përmbajtur një formë të “përçimit të panikut”. Sikur në një reaktor të një centrali diçka të shkonte keq, të gjithë reaktorët e atij lloji do të mbylleshin menjëherë në tërë botën.
Dilema e Indisë është kjo: ajo ka 20 centrale bërthamore në funksion, me rreth 23 të tjera shtesë në procedurë. Me të qenë një vend me nevojë jashtëzakonisht të madhe për energji, qytetarët e shqetësuar po pyesin nëse bërthamorja është edhe më tutje përgjigja e duhur për Indinë.
Kryeministri Manmohan Singh, ka bërë të ditur se një “rishikim special i sigurisë” në të gjitha centralet do të kryhet së shpejti. “Nuk mjafton”, thonë përafërsisht 50 indianë eminentë, të cilët në fund të muajit mars kërkuan një “rishikim radikal” të të gjithë politikës shtetërore të energjisë bërthamore, duke përfshirë edhe atë për “përshtatshmërinë, sigurinë, kostot dhe pranimin publik”. Grupi ka bërë thirrje po ashtu edhe për një “auditim të pavarur dhe transparent të sigurisë” në të gjitha centralet bërthamore dhe që në të “të marrin pjesë edhe organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë jashtë Departamentit të Energjisë Atomike”. Që atëherë, do të duhej të kishte “moratorium në të gjitha... aktivitetet bërthamore” dhe “revokim i të gjitha lejeve të punës”. Kjo është forma më eksplicite e mundshme e kundërshtimit.
Si kanë reaguar shtetet e tjera? Franca, e cila ka një varshmëri prej rreth 80 për qind nga energjia bërthamore dhe është një eksportues i madh i teknologjisë për centrale bërthamore, fillimisht ka shmangur pjesën më të madhe të shqetësimeve globale anti-bërthamore. Por tani, edhe ajo, po jep premtimeve për t’i aplikuar mësimet e mësuara nga përvoja japoneze dhe përmirësuar procedurat e saj të sigurisë, përfshirë këtu edhe rivlerësimin e ndikimeve potenciale të katastrofave natyrore në operacionet e centraleve bërthamore, duke pasur parasysh se ndodhja e më shumë se një katastrofe natyrore njëkohësisht nuk është marrë në konsideratë më herët.
Kina, e cila ka 77 reaktorë bërthamorë në baza të ndryshme të ndërtimit, planifikimit dhe diskutimit, ka thënë se do të “rishikojë programet e tyre”. Edhe pse Rusia zyrtarisht ka njoftuar se do të çojë përpara programet e saj, ish-presidenti Mikhail Gorbachov – para syve të të cilit ka ndodhur shkrirja e Chernobylit 25 vjet më parë – nuk është aq optimist.
Ndërsa SHBA-ja është eksportuesi kryesor i reaktorëve, ajo aktualisht ka vetëm dy sish në ndërtim e sipër në territorin e vet.
Danimarka, Greqia, Irlanda dhe Portugalia janë fuqimisht anti-bërthamore, ndërsa Zvicra ka stopuar të gjitha projektet e energjisë bërthamore. E gjithë kjo do të shpjerë drejt një vlerësimi dhe përshkallëzimi të çmimit. Sipas një studimi të kryer nga ish-ministri i Qeverisë indiane, Arun Shourie, çmimi i uraniumit mund të rritet deri në 140 dollarë për gjysmë kilogrami, që do të ishte shumë afër rekordit të tij.
Një shqetësim shumë më i madh për pasojën është edhe vetë çmimi i reaktorëve.
Para Fukushimas, një raport i Institutit të Massachusetts për Teknologji (MIT) “E ardhmja e Energjisë Bërthamore, 2003”, si dhe një studim i hetuesve të Universitetit të Chicagos, ka treguar se energjia bërthamore ishte 50 deri 10 për qind më e shtrenjtë se sa energjia nga thëngjilli apo gazi. Raporti i grupit punues të Komisionit për planifikim energjetik në Indi e paraqet çmimin e energjisë së fituar nga fabrikat me thëngjill për afro një të tretën herë më të lirë se sa ajo bërthamore, e për 50 për qind më të lirë se ajo nga gazi. Siguria energjetike dhe ajo publike do të duhej të kishin rëndësi të njëjtë në përcaktimin e politikave të ardhme të energjisë bërthamorë. Në të vërtetë, ekspertët si C. M. A. Nayar, kanë thënë se aksidenti i Fukushimas “mund të ketë ndodhur edhe sikur të mos kishte cunami”.
Nayar sugjeron se ka qenë e ditur qysh moti se ka pasur gabime themelore në dizajnët e reaktorëve, edhe pse këtë gjë mund ta verifikojnë vetëm autoritetet japoneze.
Prandaj, çfarë duhej bërë? Energjia e pastër në kohëra të ngrohjes globale është pa dyshim e domosdoshme. Mirëpo e nevojshme është po ashtu edhe siguria e njerëzve, kafshëve dhe bimëve. India është përkushtuar drejt dyfishimit të prodhimit të energjisë bërthamore. Por kjo gjë është dukshëm shqetësuese, pasi që furnizimi i Indisë me karburante bërthamore, teknologji dhe reaktorë varet pothuajse tërësisht nga importet nga prodhuesit, të cilët refuzojnë të marrin përgjegjësi për çdo lloj mosfunksionimi.
Nuk ekziston, natyrisht, një përgjigje e vetme e saktë që do të merrej në mënyrë simultane dhe të njëtrajtshme me pamjaftueshmërinë e burimeve, boshatisjen e karburanteve fosile, ndryshimet klimatike dhe rreziqet e energjisë bërthamore. Zgjidhja patjetër duhet bazuar në atë se si duhet përmbushur kërkesat e Indisë.
Në minimum, një riekzaminim i plotë dhe debat i gjatë publik duhet t’i paraprijnë ndërtimit të çdo lloj centrali bërthamor. Mirëpo theksi aktual për sa i përket energjisë bërthamore duhet të rivlerësohet objektivisht dhe varshmëria nga ajo duhet herët a vonë të reduktohet. Me sigurinë bërthamore që papritmas po shndërrohet në një imperativ global, çmimet janë thjesht tejet të larta për ta bërë të kundërtën.

Autori është ish-ministër indian i Financave, ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Mbrojtjes. Shkrimi është botuar së pari për rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›