E Diel, 1 Nëntor 2026

Redknapp: Mund ta fitojmë titullin

Menaxheri i Tottenham Hotspur, Harry Redknapp, insiston se ekipi i tij mund ta fitojë titullin e kampionit në Premierligë. Tottenham i befasoi shumë njerëz kur e mposhti Manchester Cityn, për ta rrëmbyer një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin që po vjen.

Dhe, Redknapp beson se Spurs mund ta bëjnë një befasi tjetër këtë sezon, duke e fituar titullin e kampionit në vend, të cilin nuk e kanë shijuar që nga viti 1961.

“Ne mund të luftojmë për titull. I kemi lojtarët. Duhet ta kemi objektiv atë. Mund ta fitojmë atë, nuk është e pamundur. Disa njerëz mund ta shikojnë se çka kemi arritur sezonin e fundit dhe të thonë se kjo ishte një përpjekje e kotë. Ne duhet t’ua shpjegojmë atyre se janë gabim dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”, tha trajneri anglez.

Redknapp mendon se Manchester City do të jetë faktor masiv në luftën për titull të kampionit, pas investimeve të mëdha që bëri ky ekip gjatë kësaj vere, dhe se ekipi i sheikëve arabë do të luftojë çdo vit derisa ta rrëmbejë titullin. Sipas Redknapp, dikush duhet ta fitojë ndonjëherë këtë titull.

“Nuk mund t’i shoh gjithmonë të jenë aty Manchester United, Arsenal, Chelsea e Liverpool. Pse të mos jetë Tottenham?”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›