Shpërndahet A2 në shkolla, ja si duhet ta plotësoni
Të gjitha shkollat e mesme ditën e djeshme janë pajisur me Formularin A2
Çdo maturant ka mundësinë që me anë të këtij formulari të përzgjedhë 10 degë për të konkurruar në shkollë të lartë
Prej ditës së djeshme të gjitha shkollat e mesme të vendit janë pajisur me Formularin A2. Pas dhënies së dy provimeve të detyruara, maturantët kanë mundësinë që tashmë të tërheqin Formularin A2 pranë shkollave të tyre.
Shkollat
Formulari A2 gjendet tashmë në çdo shkollë të mesme dhe pritet që të tërhiqet nga çdo maturant që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë në universitetet shqiptare. Pas tërheqjes së formularit, stafet akademike të shkollave po vendosin emrin e çdo maturanti për t’ia shpërndarë atyre që t’i plotësojnë. Ashtu siç ishte vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Formulari A2 u shpërnda vetëm pas dhënies së dy provimeve të detyruara nga maturantët.
“Shkollat kanë tërhequr dje Formularin A2 dhe pritet që t’u shpërndahet nxënësve për plotësim. Në ndryshim nga vjet formulari kushton 2000 lekë të reja që maturantët duhet t’i paguajnë pranë një banke ose në Postën Shqiptare dhe pastaj të vijnë të plotësojnë A2-shin. Çdo maturant ka kohë të plotësojë Formularin A2 deri më datën 30 qershor”, - shprehet Ndue Kolndreu, drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme “Aleks Buda”.
A2
Pranimet për në arsimin e lartë në Shqipëri bëhen përmes përzgjedhjes së 10 degëve në Formularin A2, të publikuar tashmë. Kështu, Formulari A2 ka listuar 11 universitete publike dhe degët përkatëse ku secili maturant duhet të përzgjedhë deri në 10 preferenca. Maturantët, pasi të kenë marrë në dorë formularin A2, duhet të shohin me kujdes listën e degëve. Fillimisht ata duhet të shohin universitetin dhe më pas të përzgjedhin degën përkatëse ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet.
Për një degë që preferoni, mbani shënim numrin e degës dhe emërtimin e saj, për shembull, në Universitetin e Tiranës: 006 Biologji. Po brenda të njëjtit universitet mbani shënim numrin dhe emërtimin e degëve të tjera të preferuara, për shembull, 021 Punë Sociale, e kështu me radhë. Është e këshillueshme që fillimisht të bëni një listë me 10 degët e preferuara, t’i plotësoni ato në fotokopjen e formularit dhe nëse jeni të bindur mbi zgjedhjen e bërë, të plotësoni origjinalin e A2-shit dhe më pas ta dorëzoni atë deri më datë 30 qershor.
Maturantët
Maturantët të cilët kanë rezultate më të larta në lëndët shkencore, do të kenë më shumë mundësi që të fitojnë një degë të profilit shkencor, pasi dhe koeficientet janë më të larta. Ndërkohë që po i njëjti nxënës do të ketë probabilitet më të vogël për t’u shpallur fitues në lëndët e profilit shoqëror, ndaj dhe përzgjedhja duhet bërë me shumë kujdes. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë maturantëve në përcaktimin e lëndëve sipas një rendi të caktuar, po zhvillohen dhe periudha konsultimi me mësues specialistë të fushës, për të ndihmuar nxënësit në zgjedhjen e lëndëve të duhura për në fakultet.
Këshilla
Formulari ka dy anë të cilat nuk duhen plotësuar, por vetëm ana e përparme. Kështu, nga ana tjetër e faqes jepen këshilla se si duhen plotësuar. Duke ditur që çdo maturant ka në dispozicion vetëm një formular A2 dhe ai duhet dorëzuar, këshillohet që fillimisht të praktikoheni me një fotokopje të formularit për t’u praktikuar, por dihet që do të dorëzoni formularin origjinal të plotësuar.
E këshillueshme është që të zgjidhni 10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave tuaja. Në renditjen nga 1 që përfaqëson lëndën tuaj më të preferuar deri tek numri 10, gjithashtu do të vendosni kodet që përfaqësojnë programet e studimit të cilat gjenden përballë çdo dege.
Në kuadratin pranë programit të studimit, do të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. P.sh. nëse në preferencën e parë është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri një. Nëse gabohet në këto plotësime, si e vlefshme do të merret kodi i programit të studimit që është shënuar te tabela e preferencave (djathtas, lart). Maturantët do të shpallen fitues vetëm në një nga programet e studimit që kanë zgjedhur sipas parimit Meritë – Preferencë,
pasi parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara, edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta, të vendosura nga institucionet e arsimit të lartë dhe të miratuara nga ministria e Arsimit dhe Shkencës. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre.
Maturantët fitues në një program studimi të zgjedhur, përcaktohen nga vendet në atë program studimi (kuotat), të cilat janë vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave. Është e domosdoshme që nota e mësuesit tuaj kujdestar të jetë e shkruar me shifra të sakta dhe me fjalë. Është e detyrueshme që ky formular të plotësohet nga ana e mbrapme e tij me emrin, mbiemrin tuaj dhe firmën si dhe emër, mbiemër dhe firmë të mësuesit tuaj kujdestar, emër mbiemër dhe firmë të drejtorit të shkollës si dhe vulën e shkollës. Mungesa e njërit prej këtyre elementëve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm. Kujdesuni që formulari të plotësohet saktësisht dhe çdo e dhënë e tij të jetë e konfirmuar nga ju.