E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet një hotel luksoz në Kabul

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 13:08

Sulmi i talebanëve në një hotel luksoz të Kabulit ka lënë të paktën 18 persona të vrarë, përfshirë dhe tetë sulmuesit.

Rrethimi i Hotelit Intercontinental përfundoi herët në mëngjes, pasi helikopterët e NATO-s qëlluan për vdekje disa sulmues në çatinë e hotelit, të preferuar nga perëndimorët dhe diplomatët.

Gjashtë deri në tetë sulmues të armatosur me raketa-hedhës, pushkë dhe xhaketa shpërthyese, kanë hyrë me forcë në hotel, duke nxitur një përleshje që zgjati më shumë se katër orë.

Zyrtarët afganë pohojnë se të gjithë sulmuesit janë vrarë herët në mëngjes. Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme, tetë persona janë plagosur gjatë sulmit.

Punonjësit dhe mysafirët e hotelit thonë se sulmuesit kanë lëshuar këngë të talebanëve dhe kanë qëlluar çdonjërin që kanë parë gjatë bastisjes së ndërtesës shumëkatëshe.

Përgjigjja e forcave të sigurisë ndaj sulmit thuhet të ketë qenë konfuze, ndërsa mysafirët dhe vizitorët vraponin për të shpëtuar jetën e tyre.

Kështu e përshkroi sulmin një banor lokal për agjencinë Reuters: “Ishte ora 22 e 30, kur një shpërthim i madh ka ndodhur në brendi të hotelit. Mendoj se ishte sulm vetëvrasës. Pas kësaj, dëgjuam armë zjarri dhe shpërthime. Banorët pranë hotelit ishin të frikësuar dhe kjo vazhdoi deri në 6 e 30 të mëngjesit”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›