Reeker: Ndihem i nderuar që sot gjendem në Kosovë

“Shtetet e Bashkuara janë partnere krenare të Kosovës dhe ju falënderoj juve zonja presidente, për udhëheqjen tuaj për ta sjellë Kosovën në këtë ditë të rëndësishme. Kemi pasur gjithë këto të arritura, por mbetet edhe shumë punë për të bërë. Duhet një unitet i vërtetë, në mënyrë që njerëzit t’i lënë anash, të gjitha interesat partiake apo personale dhe më të vërtetë të lëvizet përpara”, ka theksuar Reeker, pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Reeker ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën, përderisa ajo vazhdon me zhvillimin ekonomik, zhvillimin e sektorit privat, sundimit të ligjit, në rrugën e saj për të ndërtuar një shtet të fortë.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi zëvendëssekretarin Reeker për ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke besuar që vizita dhe mesazhet që i ka sjell ai, janë shumë të rëndësishme në kohën e përmbylljes së suksesshme të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ajo po ashtu shprehu falënderimet e popullit të Kosovës për përkrahje dhe ndjenjën e miqësisë së thellë për popullin dhe shtetin amerikan, duke theksuar se Kosova e sheh Amerikën si mikun më të madh dhe të sinqertë
“E sigurova Reeker-in se institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë të gatshëm dhe të përkushtuar që t’i përmbushin të gjitha obligimet për ndërtimin e shtetit demokratik, për rend dhe sundim të ligjit, për luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të drejtat e garantuara për të gjitha komunitetet dhe plotësimin e të gjitha standardeve, duke i bërë të gjitha reformat e nevojshme që Kosova të bëhet anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian”, ka theksuar presidentja Jahjaga.
Jahjaga ndër të tjera ka thënë se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe është e përkushtuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira dhe fqinjësore, me të gjitha shtetet dhe se marrëdhënie të tilla, dëshiron edhe me shtetin fqinjë Serbinë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, për të gjitha çështjet që janë në interes të popujve të vendeve dhe gjithë qytetarëve dhe se për këtë nuk ka alternativë tjetër.
Republika e Kosovës, sipas saj, po i zbaton të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare, të dala në formë të marrëveshjes, nga dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
“E sigurova Reeker-in se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë të dialogojnë me të gjithë qytetarët e Kosovës, me të gjitha komunat, përfshirë këtu edhe tri komunat në veri të vendit”, ka thënë ajo.
Jahjaga po ashtu ka theksuar se Kosova duke marrë të gjitha obligimet, merr edhe përgjegjësitë për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e përgjithshëm, i cili do ta bënte Kosovën një vend tërheqës për investime të huaja dhe një vend prosperues.