E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi i pamundur, Azizaj: Kërkon 2/3 e Parlamentit

Juristi Sokol Azizaj i referohet nenit 177 të Kushtetutës kur thotë se për të çuar imunitetet në kushtetuese e më pas në presidencë, dy institucionet përgjëgjegjëse për referendumin, duhet më parë që çështja të kalojë për votë në Kuvend. E këtu nevojiten jo pak, por 94 vota.

"Duhet 1/5 e iniciativës për të futur në referendum, e anëtarëve të Kuvendit. Më pas, po për procesin referendar duhet miratuar amendimi i Kushtetutës me dy të tretat e Kuvendit, që do të thotë mazhoranca e sotme nuk mund ta realizojë pa dashamirësinë e opozitës së sotme. Në këto kushte, dhe pse do të kishte dëshirë të ripërsëritur të mazhorancës për të bërë referendumin nesër, pa pjesëmarrjen e mazhorancës dhe opozitës nuk mund të realizohet", thotë juristi Sokol Azizaj.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja se përse referendumi popullor, sipas Azizajt është i pamundur të mbahet në një vit zgjedhor. Palët duhet të gjejnë më parë konsensusin se për çfarë do t'i drejtohen popullit me votë? Vetëm për imunitetin siç kërkon mazhoranca, apo për tërë paketën e ndryshimeve kushtetuese, siç kërkon opozita.

"Marrja e iniciativës ligjore, pranimi i iniciativës ligjore, atributet e Gjykatës Kushtetuese, atributi i presidentit të Republikës do minimalisht më tepër se sa 100 ditë. Që do të thotë për 100 ditë ne futemi në vitin 2013, që është vit zgjedhor. Në këto kushte politika nuk ka mundësi që të përballojë edhe procesin zgjedhor dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese", vijoi Azizaj, cituar nga AS.

Sipas Kushtetutës, ndryshimi i kushtetutës me referendum bëhet me nismë të mbi 28 deputetëve apo propozim të këshillit të ministrave. Pasi i nënshtrohet votimit me 2/3 në Kuvend, i çohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim brenda 60 ditëve. Më pas do të duhen dhe 45 ditë të tjera që presidenti të dekretojë datën e referendumit, kosto e të cilit llogaritet të jetë me atë të një palë zgjedhjeje. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje, nuk mund të bëhet me herët se 3 vjet nga dita e rrëzimit të nismës të hedhur në referendum. /Start/

                                                                                             2012-08-07 15:29
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›