Refik Halili padit Dukën dhe mbledh Asamblenë
Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë – “Futbolli është mbërthyer nga kthetrat e një mafiozi, të cilin duhet ta zhdukim nga Federata Shqiptare e Futbollit". Deklarata e ashpër kundër Armando Dukës vjen nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili sqaroi edhe denoncimin që ka bërë në Prokurori kundër presidentit të FSHF-së. Kreu i bardhebluve thekson se padia bie mbi Dukën dhe gjyqtarët e derbit të kryeqytetit, të cilët, sipas tij, trukuan ndeshjen në favor të Dinamos. Presidenti i Tiranës u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve të klubit që të protestojnë para Federatës, pasi sipas tij, dënimi më i rëndë që dha mbrëmjen e së martës Komisioni i Disiplinës, ishte pezullimi i tifozëve bardheblu për katër takimet e ardhshme. Ndërkohë, klubi Tirana ka mbledhur edhe Asamblenë e jashtëzakonshme, e cila do të vendosë më tej hapat që do të ndiqen kundër Armando Dukës, të cilat mund të çojnë deri në bojkotin e kampionatit nga kjo skuadër. Komisioni i Disiplinës vendosi dy ditë më parë të pezullojë për një vit trajnerin e Tiranës, Alban Tafaj, si dhe të pezullojë në 8 ndeshje lojtarin Devi Muka. Ndërkohë që ndaj ekipit është vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh dhe 4 ndeshje të luhen pa tifozë.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010