E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezear Xhaxhiu: “KE nuk shan as Ramën, as Berishën, i vë notë demokracisë”

Autori i Lajmit: S.TopiSi i konsideroni zhvillimet e këtyre dy ditëve në Asamblenë e Këshillit të Evropës ku brenda dy ditësh u vendos ngrirja dhe më pas shkrirja e kredencialeve të delegacionit shqiptar?
Normale. Do të çuditeni me këtë përcaktim por unë jam mësuar tash me rastin shqiptar në Këshillin e Evropës. Ka pasur gjithnjë një rast shqiptar në këtë institucion së bashku me rastin armen, azerbaxhanas apo gjeorgjian. Ne gjithnjë përbëjmë një problem për këtë institucion. Madje vetë evropianet çuditen dhe në biseda informale më thonë se të paktën tani pas 15 viteve që Shqipëria është anëtare e këtij institucioni nuk duhet të ketë me një rast shqiptar.
Pra doni të thoni se ka pasur edhe raste të tjera më të rënda?
Sigurisht. Me kujtohet debati i postzgjedhjeve të 1996-ës. Ka qenë qershor dhe këtu në Këshill u la nam në atë kohë. Këshilli i Evropës u kthye si në një Parlament të padurueshëm shqiptar. Po ato fyerje, po ato sharje dhe insinuata që bëheshin në atë kohë dhe tani në Kuvendin tonë, u përcollën edhe këtu. Ishte shume turp. Megjithatë nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe.
Sipas jush kush e mban përgjegjësinë?
Politika shqiptare dhe aktorët e saj. Besoj se ata dhe vetëm ata e mbajnë përgjegjësinë. Nuk kam dëgjuar unë ndonjëherë raste të tilla për Maqedoninë Malin e Zi për Bosnjën apo edhe për vende të tjera. Dhe të mendosh se kam 15 vjet që e ndjek këtë institucion nga afër. Shikoni. Ne eksportojmë në Këshillin e Evropës gjithë të këqiat e fshatit tonë provincial dhe është një trishtim i madh.
Kryetarja e Kuvendit deklaroi se është hera e tretë që i bëhet një atentat marrëdhënieve Shqipëri-KE...
Shikoni këto janë histori cic micesh shqiptare pa asnjë vlerë. Kur je në Tiranë i përcjell si lajme të medha, por kur je këtu të duken si gjëra të vogla periferie. Punë procedurash mosbesimi tendenca për tia futur kundërshtarit, mungesë luajaliteti hapësirash të cilat nuk kalojnë pa u vënë re edhe këtu. Një deputet i majtë më tha dje se vetëm ju dhe Armenia përcillini situata të tilla. Nuk dua të ndalem gjatë në historitë me zonjën Topalli apo me çështjen Islami. Rëndësi ka ajo njollë që lemë pas. Dhe kur je në një institucion ndërkombëtar dimensioni i kësaj njolle shumëfishohet dhe ty te vjen keq që je përfaqësues i nje vendi te tille me kaq probleme banale.
Mos po kërkoni ti minimizoni gjerat?
Jo kërkoj të jem realist. Kërkoj të dëgjoj këtu në zemër të Evropës se si të tjerët i venë notën dhjetë klasës politike shqiptare dhe proceseve demokratike të vendit tim dhe jo të dëgjoj e të shoh për më shumë se 15 vjet raporte e seanca debati ku Shqipëria krahasohet me ish Republikat e humbura të Bashkimit Sovjetik. Nëse në 1996 kjo nuk më bënte përshtypje tani me zor e kapërdij. Pasi jemi në 2010 apo jo dhe kërkojmë të na hapet porta e Evropës. Por nuk ikim nga këto cic-mice ballkanike. Ja përse nuk po i minimizoj por po kërkoj të jem realist.
Mendoni se do të ndikojnë në marrëdhëniet e mëtejshme kjo situatë mes Shqipërisë dhe KE-së?
Jo nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim kushedi se çfarë. Shikoni. Evropianët janë shumë të duruar. Madje për këtë paguhen të jenë të duruar të bëjnë rezoluta të japin këshilla të sjellin reporterë? Ky është misioni i Këshillit të Evropës. Ajo çfarë më shqetëson është vonesa jonë. Ka shumë “trena” që na kanë ikur e na kanë lënë pas. Më kujtohen probleme të tilla të përafërta, kishte një dekadë më parë edhe ndonjë vendi ynë fqinj por tani i kanë kaluar e vijnë dinjitoze në pallatin e Strasburgut. KE nuk merr sanksione e nuk vë gjoba ajo sugjeron me kujdes e me durim.
Po çfarë është Këshilli i Evropës, një organizatë llafesh?
Edhe kështu është. Por, është njëkohësisht një nga hallkat e rëndësishme në zinxhirin e institucioneve evropiane ku ne duam të jemi pjesë si evropianë që pretendojmë se jemi. KE nuk të fut në Evropë, por ama KE është një lloj porte në paradhomën e BE-së e cila ndikon në shpejtimin apo ngadalësimin e ecjes sonë. Janë burokratë këta që e hanë bukën vetëm me këtë punë. Prodhojnë rezoluta, fjalime e rekomandime. Mirë është ti kemi në favor, në të kundërtën le të presim.
Ju mendoni se zhvillimet e këtyre ditëve e kanë ngadalësuar hapin tonë?
Sigurisht. Por këtu gjerat nuk thuhen troç dhe ashpër si në Tiranë. Rezervat mbërrijnë me shumë elegancë. Një herë në formën e një rezulotë, më pas të disa rekomandimeve, më pas akoma të një delegacioni që dërgohet në Tiranë. Fakti që ne vijojmë të jemi një vend nën monitorimin e KE kaq mjafton se nuk po e kalojmë klasën. Dhe të mendoni që kemi 15 vjet anëtarë të këtij institucioni. Unë mendoj se nuk është se KE ka pasur ndonjë mendim shumë më pozitiv i cili të jetë tronditur këto ditët e fundit. Këtu në Strazburg flitet për Shqipërinë si një vend me demokraci të brishtë dhe institucione demokratike delikate. Kaq mjafton për të kuptuar shumë. Dhe unë po flas tani me gjuhën e evropianëve të cilët asnjëherë nuk denigrojnë, fyejnë apo shajnë të majtët e Ramës apo të djathtët e Berishës.
Si i vlerësoni marrëdhëniet e Shqipërisë me KE?
Ka pasur një periudhë të artë. Nga fundi i mandatit të dytë të socialistëve. Një periudhë paqeje. Po kështu edhe pas ardhjes së të djathtëve në 2005. Ka pasur një periudhë gri gjatë Presidencës së parë të Berishës me seanca tensionuese më pas, pas zgjedhjeve të 97-ës apo atyre të 2001-it. Pra është një marrëdhënie me ulje e ngritje por jo për faj të KE.
A është e vështirë të mbulosh raportimin e një sesioni kur ai është me tensione?
Nuk është e vështirë se sa e bezdisur. Duhet të jesh "në majë të telit" që do të thotë tepër i kujdesshëm në dhënien e lajmit. Je një lloj syri dhe veshi që duhet të sjellësh në Tiranë atë çfarë ndodh këtu, dhe asnjëherë nuk ka pasur palë që të jenë të kënaqur me lajmin dhe raportimet e tua. Kjo sepse secila palë kërkon të përcjellësh nuancat që ajo do. Ja përse nganjëherë është e lodhshme dhe e bezdisur të jesh këtu. Po fakti që kam 15 vjet që raportoj do të thotë se kam një sekret. Ai është profesioni. dhe duket se evropianet e shohin këtë më mirë se sa ne dhe dinë ta vlerësojnë.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›