E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ditë zie kombëtare, mbërrin trupi i Panajot Panos

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Trupi i pajetë i futbollistit Panajot Pano, i cili vdiq në Xheksonvill të SHBA-së, sot do të mbërrijë në atdhe, për tu prehur përjetë në dheun e tokës mëmë. Sikurse ka vendosur më parë, një ditë pas vdekjes, edhe qeveria shqiptare, dita e varrimit të të madhit Pano do të jetë ditë zie kombëtare. Pra, e enjtja (sot) do ta ketë flamurin kuqezi në gjysmështizë, në respekt dhe nderim të Panajot Panos. Në orën 10.00, trupi i pajetë i Panos do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit, ku do ta presin me nderime njerëz me funksione të rëndësishme shtetërore dhe publike, por edhe njerëz të thjeshtë, sportdashës dhe sportistë. Më pas, trupi i pajetë i mbretit të futbollit shqiptar do të vendoset në Pallatin e Kongreseve, ku të gjithë do të kenë rastin ti bëjnë homazhet e fundit, para se Panajot Pano të prehet përjetë në varrezat e Sharrës. Me të gjitha ceremonitë përkatëse do të merret Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërkohë që në orën 12.00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa flamuri do të ngrihet në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet shtetërore.

18 janar 2010

Kjo datë ishte dita e fundit e jetës së futbollistit më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, e legjendës së madhe e të papërsëritshme Panajot Pano. Zemra e “mbretit” të top-këmbës shqiptare ka pushuar së rrahuri atje larg, në Xheksonvil të Floridës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kishte 3 ditë i shtruar në spital, si pasojë e një parainfrakti që kishte pësuar. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e pasuksesshme, pasi intervenimi i tyre përmes kryerjes së koronografisë është shoqëruar me humbjen e jetës së Panos. Zemra e ka tradhtuar “lojtarin fluturues”, të cilin nuk kishte kundërshtar që ta markonte, pas një infarkti, duke na thënë të gjithëve “lamtumirë”. Legjenda shqiptare, më i njohuri në botë, Panajot Pano, para një viti, teksa mbushi të 70-tat, u dekorua me urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ka qenë pikërisht ky, i pari që ka shprehur publikisht ngushëllimet e tij për këtë humbje të madhe. Jeta e tij ka qenë vërtet intensive dhe me shumë ngjarje, që nuk harrohen. Cilësitë dhe aftësitë e tij kaluan kufijtë e kohës, pavarësisht se izolimi i regjimit ishte i pashoq. Vlerësimet e ish-trajnerit të përfaqësueses së RFGJ-së, Helmut Shën, se “Shqipëria ka një futbollist të madh, Panon”, të Franc Bekenbauerit, ish-kapiten i përfaqësueses së RFGJ-së, se “më pëlqeu kundërshtari im, Bizi, ndonëse në Gjermani njohim më shumë Panon”, i Shulcit, qendërmbrojtës i përfaqësueses së RFGJ-së, se “askush në vendin tim dhe jashtë tij nuk ka guxuar të më sjellë rrotull, të më kalojë dorë për dore, të më gjunjëzojë, ashtu si Pano”, sot janë “kurora” më e fisme te koka e këtij gjiganti të futbollit shqiptar.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›