"Fanar ndriçues", apo...
Shqipëria si "Fanar ndriçues"
Menduam se me përmbysjen e sistemit monist, hoqëm dorë nga përrallat politike apo propaganda komuniste e një Shqipërie "Qendër bote", "Fanar ndriçues", fituese e "Çmimit Ndërkombëtar për Ushqimin" e të tjera ëndrra të këtij lloji. Dhe kjo megjithëse vendit e qytetarit shqiptar i mjafton një politikë normale, një zhvillim normal e progres në rritje, më shumë zemër e përkujdesje, më tepër normalitet e transparencë në deklarim e veprim.
Por me sa duket ajo pseudo-logjikë (lexo anti-logjikë), ai mentalitet mburravec e "qorr", i ushqyer dhe nga "epshi" për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht (duke filluar nga mburrjet e gënjeshtrat deri tek vjedhjet zgjedhore e materiale), vazhdon të pranohet, akoma më keq, të ekspozohet në dritë të diellit, edhe sot në politikën shqiptare. Ndryshe nuk mund të kuptohen shprehje të tilla, si "nuk është parë në kontinent dhe më gjerë", pra dhe në botë, "kjo rritje pagash". Apo që rolin e Euros dhe të Dollarit, për shumë të huaj, po e zënka tashmë Leku! Madje, ky zëvendësim po bëhet mjaft më tepër se u bë dikur në kohën e skemave piramidale, për depozitimin në to! Kjo edhe pse ky forcim Leku nuk justifikohet nga rritja ekonomike!...
E si mund të kujtohen të gjitha thëniet "perla" të tjera, aq të shumta, sidomos kur na u fol për një inflacion fare minimal në Shqipëri, në kohën që pranohej ai më i lartë në vende të tjera, për arsye tashmë të njohura. Kjo sikur ne të jetonim në një sistem të mbyllur si ai i dikurshmi apo të konsumonim gjithçka të prodhuar vetëm brenda vendit! Aq më tepër, kur kemi në fakt një deficit tregtar asfiksues, ku eksportet edhe sikur të rriten janë tepër larg mbulimit të importeve. Gjë që, për çdo individ me një kulturë ekonomike-financiare minimale, përkthehet në një varfërim në vazhdimësi të vendit. Sidomos me zvogëlimin e pritshëm të prurjeve nga emigracioni apo me bllokimin e hyrjeve dhe të përdorimit të parave të pista, nën trysni ndërkombëtare, edhe si krizë social-ekonomike...
Eh, ç'të thuash më shumë! Mesa shihet ne kemi qenë dhe mbetemi "qendra e botës" apo një "fanar ndriçues" në brigjet e Adriatikut. Por, në fund të fundit, pse të mos jemi? A nuk e meritojmë ne atë, të paktën tani? Apo nuk na pëlqejnë si tepër legjendat?! Prandaj dhe nëse ndonjë drejtues shfaqet plot "humor" duke "notuar" midis legjendave e "parajsave" ekonomike apo, qoftë edhe sikur të na shitet si personazh "epik" e "legjendar", ç' të keqe ka?! Pse të mos kënaqemi e lumturohemi?!...
Ekonomia shqiptare si "Perpetuum mobile"
Mirë që njerëzve u erdhi në majë të hundës, madje ranë dhe në depresion nga kriza energjetike, më e gjata në historinë e elektrifikuar të këtij vendi, por si shpjegohet që ekonomia shqiptare paska lulëzuar më shumë se asnjëherë, me gjithë këtë ndërprerje 6-mujore, deri shkatërrimtare të energjisë?!
Në çdo vend të botës, dihet që pa konsum energjie nuk mund të punojë as një makineri! Kur pakësohet konsumi i energjisë zvogëlohet apo bllokohet dhe zhvillimi ekonomik. Me fjalë të tjera, kur kufizohet energjia, pakësohet puna, ose futen në shfrytëzim burime të tjera më të shtrenjta energjie për ta kompensuar sadopak atë të rrjetit elektrik. Pra, rritet kostoja e prodhimit dhe e shërbimeve, d.m.th, dhe çmimet e mallrave të konsumit, rëndohet xhepi i qytetarit, pra rritet edhe inflacioni. Këtë shkakton normalisht errësira në çdo vend të botës. Me përjashtim të hajdutit, që kudo qoftë e parapëlqen, madje e "dashuron" errësirën.
Pra, nëse merret si seriozisht pohimi që "viti 2007 ka qenë më i miri në historinë e vendit", mund të deklarohet pa "frikë" se Shqipëria, më saktë ekonomia shqiptare, qenka kthyer në "perpetuum mobile" të llojit të parë. Do të çuditej një çikë Akademia Franceze (që ka nxjerrë një dekret dy shekuj më parë për hedhjen poshtë të kësaj mundësie), por punë e madhe! Po të reagojë edhe ajo, ne, në mos ta shkrijmë atë fare, mund ta ngrijmë për ca kohë!
Nga ana tjetër, fakti që mungesa e energjisë, jo vetëm që nuk i transmetoka ndonjë ngërç ekonomisë së vendit, por e bën atë që të përjetojë vitin e madh të historisë së saj, atëherë kot që kërkojmë të marrim borxh apo të harxhojmë para për të ndërtuar hidrocentrale e termocentrale, centrale me erë apo bërthamore, sepse me shkëputje të gjata energjie ne paskemi rezultate të shkëlqyera, ndërsa me energji pa ndërprerje ne mund të bëjmë deri çudira të tilla, me të cilat mund të xhelozonim aq shumë fqinjët sa që ata të mos na jepnin votën e integrimit!
Parë në këtë optikë, po i bihet kot në qafë dhe zonës turistike të Vlorës, sepse ajo energji që pretendohet të prodhohet atje mesa duket nuk na nevojitet aq shumë për rritjen tonë ekonomike, të paktën të barabartë me atë të vitit historik 2007. Veçse nëse është planifikuar ta shesim atë. Prandaj, mesa duket, dhe viti 2008 do të jetë aq i suksesshëm, sa do ta lejë fare në harresë edhe vitin historik 2007!
Po ashtu, po të merret si seriozisht ai pohim i mësipërm, do të thotë se ne shqiptarët paskemi kaluar në "stadin më të lartë" të evolucionit të shtetit, sot e tutje nuk paskemi më nevojë as për qeveri qendrore, përderisa me një qeverisje si kjo me mungesë orientimi e profesionalizmi, me dobësi e kaotizëm të theksuar ne arrijmë të kemi rezultate të pashënuara ndonjëherë në historinë tonë!
Në të vërtetë, nuk është vetëm ekonomia që ka vuajtur gjatë vitit 2007, por edhe familjet shqiptare në tërësi. Jo vetëm e thjesht nga energjia e munguar apo çmimet e ngritura në stratosferë, por dhe nga humbjet e mëdha njerëzore, brenda e jashtë vendit. Jo vetëm nga shpërthimi primitiv dhe i llahtarshëm i krimit brenda familjes, nga gjakmarrja e hakmarrja, jo vetëm nga aksidentet dramatike rrugore, që shënojnë shifra tepër të larta e mjaft shqetësuese, por edhe nga aksidentet e shpeshta në punë. Për këtë të fundit mjafton të kujtojmë humbjet e njëpasnjëshme në minierën e Bulqizës, në ndërtim, etj., për të mos e pranuar, të paktën në lidhje me sigurinë e drejtpërdrejtë njerëzore apo humbjen e jetëve shqiptare, cilësimin euforik dhe të pakuptimtë të "vitit 2007 si viti më i mirë"!
Dhe, së fundi, a keni luajtur ndonjëherë në fëmijëri lojën e telefonit të prishur, kur të vendosur në rreth i keni pëshpëritur shokut më afër një shprehje apo fjalë? Besoj se ju kujtohet se pas një qarkullimi të plotë krahasohet ajo që është thënë në fillim, me atë që ka arritur në fund të qarkullimit. Po ta provoni përsëri mund të rezultojë që p.sh., shprehjet: "import energjie" apo "ndër vitet më të vështirë" të rezultojnë përkatësisht "eksport energjie" apo "viti më i mirë"!
"Induksioni" i ëndërrimit apo problemi i auto-ëndrrave
Diku kam lexuar një interpretim të një analisti ndër të dalluarit, i cili parapëlqente, të paktën kështu pretendonte, llojin e politikanit, që e bënte të ëndërronte. Dhe deri këtu gjithçka mund të konsiderohet fare logjike e normale. Madje, politikanë të tillë, kudo në botë apo në histori, kanë ngjallur dhe vazhdojnë të ngjallin frymëzim; ata e çojnë vendin e shoqërinë përpara.
Nuk e di nëse "analiza" apo "prognoza" politike e këtyre ditëve dhe vlerësimi i vitit 2007 si "viti më i mirë" apo, për më tepër ai i 2008-ës, që do të bëjë të "harrohet" dhe mrekullia e 2007-ës, do të ketë vazhduar të induktojë tek ai ëndërrimin qytetar. Ka mjaft të ngjarë, që në vend të atij ëndërrimi vetjak, ky analist, me mençurinë karakteristike të tij, të lexojë tashmë në fjalët e "timonierit" superlativat ose teprimet deklarative të radhës, ëndrra të zbukuruara, aq më keq dhe ëndrra ireale, ndoshta të imagjinuara apo të para me syhapur, edhe pse të treguara me mjaft "humor"! Po të ketë arritur në atë përfundim, me të do të bashkohej dhe një pjesë dërrmuese e popullsisë, në të cilën si qytetar do ta pranoja, me të njëjtën logjikë, të isha dhe unë...