E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi, pritet te ikin 30 punonjës nga ministria

TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka përgatitur një strukturë të re, mbi bazën e së cilës do të funksionojë dikasteri që ai drejton që prej shtatorit 2009. Lajmi bëhet i ditur për “GSH” nga burime pranë institucionit të drejtësisë, të cilat theksojnë se struktura është dërguar për miratim pranë Departamentit të Administratës Publike.

Ristrukturimi i drejtorive në ministri ka vënë në ankth dhe tension pjesën më të madhe të punonjësve, të cilët nuk e kanë aspak të sigurt nëse do të vazhdojnë të jenë në vendet e tyre të punës, apo do të preken nga ky organizim.

Ristrukturimi i dikasterit të drejtësisë pritet të shoqërohet me largimin e të paktën 30 punonjësve të administratës. Nuk dihet ende nëse struktura e re prek titullarët e drejtorive brenda ministrisë. “Miratimi i strukturës së re pritet të prekë vetëm punonjësit e administratës”, - tha një burim.

Ndryshimet e titullarëve në institucione të ndryshme në shumicën e rasteve janë shoqëruar dhe me strukturim dhe mënyrë të re organizimi të funksionimit të punës. Në proces ristrukturimi janë përfshirë një pjesë e madhe e administratës publike. Një vit më parë, në gjykatë janë paraqitur të paktën 193 persona, të cilët pretendojnë se janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga detyra.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›