E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, PS pezullon aktivitetet partiake

Deputetët e PS-së apelojnë se siguria njerëzore është në nivele shumë të ulëta. Kërkojnë zbardhjen e së vërtetës


TIRANË- Vrasja që ende mbetet mister për përfaqësuesit e zonës 68 në Fier, deputetit Fatmir Xhindi, ka shokuar të gjithë opinionin publik, përfshi edhe klasën politike shqiptare, por në veçanti anëtarët e familjes politike ku ai militonte prej nga fillimet e pluralizmit dhe të cilën e përfaqësonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Në pritje të një versioni zyrtar të institucioneve përgjegjëse të hetimit, socialistët nuk kanë dashur të komentojnë motivet e kësaj ngjarjeje, por kanë vendosur që së pari t'i bëjnë të gjitha nderimet e mundshme njeriut të tyre, që në mbrëmjen e së shtunës u nda nga jeta.


Anulimi


E, në këtë situatë, jo vetëm si një mbështetje morale ndaj familjarëve dhe miqve të tij, por edhe si në mënyrë sensibilizimi të opinionit publik dhe strukturave të shtetit për të vënë sa më parë para drejtësisë autorët e këtij akti, Partia Socialiste ka vendosur të anulojë për ditën e sotme të gjitha aktivitetet partiake dhe publike, të programuara që më parë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, selia rozë ka njoftuar se, "Partia Socialiste anulon çdo aktivitet publik ditën e nesërme (sot) në respekt të familjes, të afërme e dashamirësve të deputetit Fatmir Xhindi".

Nuk dihet ende se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme të kësaj force politike për këtë ngjarje të rëndë, megjithëse kreu socialist, Edi Rama, gjatë fjalës së tij që mbajti gjatë ceremonisë mortore në Pallatin e Kulturës së qytetit të Roskovecit, paralajmëroi se "pa dalë ajo (e vërteta) në dritën e diellit, ti do ta kesh të pamundur të prehesh i qetë në terrin e banesës ku po të kyçin, ndërsa për të gjithë ne të tjerët, gropa e padrejtësisë që të mori jetën do të mbetet e hapur si varr për shpresën tonë se ky vend mund të bëhet i drejtë me të gjithë, e për të gjithë".


Deputetët


Ndërkohë që nxjerrjen e së vërtetës mbi këtë akt ua ka lënë organeve të drejtësisë, Partia Socialiste nuk ka nguruar ta komentojë atë në drejtim të sigurisë së jetës që ekziston në vend.

Kështu, përfaqësues të selisë rozë, ashtu si edhe për një seri ngjarjesh të tjera të bujshme që kanë shoqëruar jetën e shqiptarëve këto kohët e fundit, kanë deklaruar dje se një ngjarje e tillë tregon mbi të gjitha pasigurinë në vend.

Deputeti socialist, Kastriot Islami, teksa ka vlerësuar deputetin e vrarë si shembullin e një familjari dhe politikani perfekt, ka gjykuar se ngjarja merr një impakt të gjerë për sigurinë e jetës së qytetarëve, për sa kohë vritet një njeri me imunitet.

"Ka një kontekst të veçantë, pra është vrarë një deputet, një figurë politike dhe për më tepër kjo ka ndodhur në një moment të rëndësishëm politik, siç është fushata zgjedhore. Siguria njerëzore është në nivele shumë të ulëta, përsa kohë që kjo gjë ndodh dhe me figura politike.

Së dyti ngjarja tregon se kriminelët nuk janë të frikësuar, pasi ata shohin se institucionet e shtetit nuk janë në nivelin e duhur dhe ata janë të gatshëm të ndërmarrin çdolloj veprimi jo vetëm ndaj njerëzve të thjeshtë, por edhe personazheve politike. E treta ka një ngadalësi në zbardhjen e këtij procesi dhe në kapjen e autorëve", - tha Islami, i cili ashtu si dhe Xhindi janë të deputetët të të njëjtit qark, pra atij të Fierit.

Ndërsa deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, gjatë një prononcimi për shtyp e ka quajtur si një traumë të përgjithshme vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Për këtë arsye, kryetarja e ligjvënësve socialistë ka kërkuar që shteti të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje të rëndë.

"Rezervohem për të folur për rrethanat e ngjarjes", - vuri në dukje Leskaj gjatë fjalës së saj. Nga ana e tij, deputeti i PS-së, Taulant Balla, referuar po këtij momenti e konsideroi këtë si një ngjarje kriminale. "Shteti të marrë masa sa më parë që drejtësia të shkojë në vend", - u shpreh Balla. Në vlerësimet e tij, Balla e konsideroi deputetin Fatmir Xhindi si një deputet model për Parlamentin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›