Topalli: Dënimin më të rreptë për autorët e vrasjes
Pas vizitës së zhvilluar mbrëmjen e krimit në shtëpinë e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli është rikthyer dje përsëri në qytetin e Roskovecit, ku u është bashkuar mijëra qytetarëve të ardhur nga mbarë Shqipëria për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë në Pallatin e Kulturës së qytetit të Roskovecit.
E shoqëruar, ashtu si dhe një ditë më parë, nga dy deputetët e qarkut të Fierit, ministri i Arsimit, Fatos Beja dhe Ilir Bano, si dhe nga deputetët e tjerë të djathtë, Topalli ngushëlloi bashkëshorten dhe fëmijët e deputetit socialist, i cili u vra të shtunën në mbrëmje pranë shtëpisë së tij në Roskovec.
Duke dalë nga vendi i përcaktuar për të bërë mort, Topalli u shpreh e tronditur për humbjen e deputeti Xhindi. "Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur, miqve dhe kolegëve të tij, për humbjen e kolegut, me të cilin kemi punuar prej kaq vitesh", - u shpreh Topalli.
Ajo ka kërkuar mbështetjen e opinionit të gjerë për institucionet e hetimit, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para ligjit personat që guxuan të vënë dorë mbi deputetin socialist. "Institucionet do e dënojnë atë me dënimin më të prerë", - tha Topalli.