E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eskorta e Berishës del 50 m jashtë rrugës, rëndë shoferi

14/11/2011  Aksidenti pasi eskorta përcolli kryeministrin në Norvegji. Në spital efektivi i Gardës

TIRANË- Sapo kishte përcjellë për në Norvegji kryeministrin Sali Berisha, një nga makinat e eskortës është aksidentuar në Rinas, ndërsa drejtuesi i automjetit është në gjendje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të policisë, që thanë se shtetasi me iniciale Gj.B, efektiv i Gardës së Republikës, ka marrë lëndime të konsiderueshme si pasojë e daljes nga rruga. Ndërkaq mësohet se makina e parë e eskortës së kryeministrit ka devijuar nga rruga pranë aeroportit të Rinasit dhe ka rënë në kanal rreth orës 1500 të ditës së djeshme. Si pasojë drejtuesi i automjetit Gj.B ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se është në gjendje të rëndë. Makina ka përfunduar rreth 50 metra jashtë rrugës në tentativë për të shmangur një aksident të shkaktuar nga një automjet tip “Ford”. Nga burimet e policisë rrugore mësohet se eskorta po ecte me shpejtësi, por ajo që shkaktoi aksidentin ishte zënia e rrugës nga makina tip “Ford”. Ndërkaq në vendngjarje mbërritën ekspertët, të cilët po zhvillojnë hetimet. Eskorta kthehej në Tiranë pasi çoi kryeministrin Berisha në aeroportin e Rinasit. Faqja zyrtare e kryeministrit bën me dije se kreu i qeverisë u nis dje për një vizitë në Mbretërinë e Norvegjisë. Në Norvegji Berisha do të zhvillojë disa takime zyrtare me krerë të lartë të këtij vendi. Në axhendën e vizitës krahas takimeve me autoritetet e larta norvegjeze një vend të rëndësishëm zë dimensioni ekonomik. Për këtë qëllim kryeministri Berisha shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›