E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi; S’pranohet gjykimi i shkurtuar, nis gjyqi për Afrim Hasanajn



Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi dje kërkesën e të pandehurit Afrim Hasanaj për t’u gjykuar përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar. I akuzuar për vrasjen e dy policive në Kukës, i pandehuri kërkoi nga gjykata të gjykohet në gjendjen që janë aktet, por kjo kërkesë e tij u kundërshtua nga përfaqësuesi i akuzës, Ardian Nezha. Pas refuzimit të gjykimit të shkurtuar, togat e zeza i dhanë fjalën prokurorit Nezha të lexojë kërkesën për gjykim, faktet dhe rrethanat kriminale për të cilat akuzohet i pandehuri. Referuar kërkesës për gjykim të dërguar nga prokurori i çështjes, Ardian Nezha, në Gjykatën për Krime të Rënda, shtetasi Afrim Hasani dyshohet se ka vrarë në krye të detyrës dy punonjësit e policisë së Qarkut Kukës, konkretisht shtetasit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga nenet 79 germa “c” dhe “ç” dhe 278/2 të Kodit Penal. Nga rrethanat hetimore të çështjes, sipas prokurorit, provohet se dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, kanë qenë me detyrë inspektor policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Kukës, vendshërbim patrullë policie në aksin rrugor nacional Kukës-Tiranë. Hetimi ka provuar se i pandehuri Afrim Hasani ka qenë me banim në fshatin Petkaj-Shëmri, Komuna Malzi, Kukës. Gjithashtu, sipas akuzës, rezulton e provuar se i pandehuri Hasani ka qenë i papunë dhe që nga fundi i vitit 2007 ku kishte qenë emigrant ekonomik në Finlandë, nuk kishte emigruar më jashtë shtetit, por jetonte në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj së bashku me gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij. Gjatë periudhës që kishte qëndruar në Shqipëri, i pandehuri Hasani është proceduar nga autoritetet gjyqësore të rrethit Kukës për veprën penale të “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, ku dhe është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës me 4 muaj burg.

Zanafilla e ngjarjes

Sipas kërkesës për gjykim të dorëzuar në gjykatë, nga provat e grumbulluara u arrit të provohej se më datë 16.03.2009, në qendër të fshatit Shëmri-Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja kanë hyrë me forcë shtetasit Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Pikërisht në këtë moment, shtetasja Brinja ka komunikuar me efektivët e policisë që ndodheshin në fshatin Shëmri, konkretisht policët Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Afrimi i kishte shkaktuar në lokalin e saj. Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë për të bllokuar automjetin me të cilin lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Sipas akuzës, rreth orës 15:15, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip “Benz Mercedes D 240” ngjyrë e kuqe, me targa KR 3778 A, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit, nga punonjësit e policisë është konstatuar se në timon të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia. Pasi kanë ndaluar makinën, menjëherë punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit.

Konflikti

Në këtë moment, sipas edhe deklarimeve të të pranishmëve në vendngjarje atë natë, i pandehuri Hasani është konfliktuar me punonjësit e policisë, veçanërisht me policin Shkëlzen Dobrushi, konflikt që në fillim ka nisur me fjalë e më pas është shoqëruar me zënka deri në përdorimin e dhunës fizike, në mënyrë të ndërsjellë mes policëve dhe të pandehurit. Pas këtij konflikti me policët, i pandehuri Afrim Hasani së bashku me shoqëruesit e tij në makinë është larguar nga vendi ku është konfliktuar me punonjësit e policisë, duke lënë në rrugë makinën në të cilën ishte si pasagjer. Tre punonjësit e policisë menjëherë kanë njoftuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forca policore. Menjëherë është shoqëruar për në polici shtetasi Mentor Hila, së bashku me mjetin e tij tip “Benz” me targa KR 3778 A dhe është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Zamir Avdia, Genc Avdia dhe Afrim Hasani. Pas kontrollit të banesave është bërë shoqërimi për në komisariat i shtetasve Zamir Avdia dhe Genc Avdia, ndërsa i pandehuri Afrim Hasani nuk është bërë gjendur, pasi i është fshehur policisë. Pikërisht në lidhje me këtë ngjarje, punonjësit e policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, kallëzim i cili është regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës si procedimi penal nr. 59, viti 2009, në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasani, i dyshuar se ka kryer veprat penale të parashikuara nga neni 236/2 i Kodit Penal. Meqenëse në harkun kohor prej 4 orësh, i pandehuri Hasani dyshohej se ka kryer veprat penale të “shkatërrimit të pronës” dhe “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, më datë 18.03.2009 është vendosur të bashkohej procedimi penal nr. 58 me procedimin penal nr. 59, ku të dy procedimet janë hetuar si procedimi penal nr. 59 për veprat penale të parashikuara nga nenet 150 dhe 236/2 të Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasanaj, ndaj dhe nisën hetimet për këtë shtetas për dy veprat penale të përmendura. Eksperti ka vlerësuar për dëmet e shkaktuara në lokalin e shtetases Brinja vlerën 6.240 lekë të reja dhe duke mos kapur minimumin për ngritjes së një akuze, prokuroria e pushoi akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Por, sipas akuzës, ka qenë pikërisht ngjarja e ndodhur në lokalin e shtetases Brinja dhe kallëzimi penal i bërë nga dy punonjësit e policisë, që shtynë të pandehurin të kryejë aktin kriminal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›