Vendimi; “Divorcohet” Dondollaku nga Bare, i shpëton burgimit përjetë
Pas kërkesës së Enver Dondollakut për “divorc” nga Aldo Bare, gjykata ka vendosur ta pranojë këtë kërkesë, duke e shpëtuar në këtë mënyrë nga dënimi me burgim të përjetshëm. Gjykata arsyetoi se jo vetëm që pranon kërkesën e krahut të djathtë të Aldo Bares (Alfred Shkurtit), Enver Dondollakut, por do jetë po ky trup gjykues që do i gjykojë të dyja çështjet, gjykimin e shkurtuar për Dondollakun dhe gjykimin normal për Baren. Sipas gjykatës, fillimisht do gjykohet i pandehuri Dondollaku meqenëse është pranuar gjykimi i shkurtuar dhe zgjat më pak si gjyq. “Në gjendjen që janë aktet, si dhe administrimin e 104 dëshmive që japin detaje rreth episodeve kriminale apo dhe dijenive që kanë nga persona të tjerë që kanë parë ngjarjet, mendojmë se çështja mund të zgjidhet në këtë gjendje. Ndaj dhe kjo është arsyeja që pranojmë kërkesën e Dondollakut dhe pranojmë edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar”, - deklaroi kryesuesi i trupës gjyqësore, Luan Hasneziri. Më pas, gjyqtari ia dha fjalën prokurorit të çështjes, i cili nisi të rendisë si nisi konflikti mes familjes Shkurti dhe Artur Dajës, si i grumbullua e ashtuquajtura “Bandë e Lushnjes” nga miqtë e Alfred Shkurtit, vrasjet e njëpasnjëshme për shkak të lidhjeve të viktimave direkt apo indirekt me Artur Dajën, si dhe roli i Dondollakut në këto krime. Gjithashtu, një tjetër episod i rëndësishëm kriminal është shëtitja e kokës së Dajës nëpër qytetin e Lushnjes nga i pandehuri Dondollaku.