E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pendesa; Pas vdekjes së gruas, vetëvaret në qeli Skënder Hasa



I akuzuar se shtyu gruan në vetëvrasje, vendos t’i japë fund jetës së tij në kushtet e një pendese të thellë, duke lënë katër fëmijë jetimë. Akti vetëvrasës ka ndodhur në qelitë e paraburgimit 313-të, në orët e paradites së djeshme. 44-vjeçari Besnik Hasa u vetëvar me çarçaf në krevatin e tij në qeli. Nga të dhënat e para mësohet se i akuzuari ka shfrytëzuar momentin kur ndodhej vetëm në qeli për të kryer aktin. Në një moment, rojet e regjimit të brendshëm kanë konstatuar ngjarjen dhe menjëherë janë vënë në lëvizje për t’i dhënë ndihmën e parë 44-vjeçarit. Rojet e kanë gjetur në gjendje agonie Hasën dhe menjëherë është transportuar me urgjencë për në spital, por, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për ta mbajtur në jetë, 44-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas burimeve zyrtare, Besnik Hasa mbahej në dhomat e paraburgimit me akuzën për “nxitje të vetëvrasjes” së bashkëshortes së tij Elizabeta Hasa. Sipas autoriteteve të burgjeve, babai i katër fëmijëve, javët e fundit ishte shfaqur i çekuilibruar dhe ishte shprehur se nuk i duhej më jeta pas vdekjes së të shoqes. Madje, sipas tyre, ai ka tentuar të vetëmbytet po me çarçaf edhe dy herë të tjera, njëherë në burgun 302 dhe një herë në spitalin e burgut, por është konstatuar në kohë dhe i është shpëtuar jeta. Ai survejohej nga gardianët e burgut për të mos përsëritur aktin vetëvrasës, por, i paraburgosuri ka përfituar nga fakti që njëri nga shokët e qelisë ka dalë nga dhoma pasi kishte një proces gjyqësor dhe menjëherë ka kryer vetëvrasjen. Me gjithë ndërhyrjen e Policisë së Burgjeve, ai ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e burgjeve. Lidhur me këtë rast, psikologë të burgut thanë se kohët e fundit viktima shprehej shpesh për vetëvrasjen e gruas së tij me fjalët: “I thashë të vriste veten, por bëra shaka, nuk e mendova se do ta bënte këtë gjë”. Bashkëshortja e tij, Elisabeta, u gjet e vdekur në shtëpinë e çiftit në Bathore. Prokuroria e akuzonte atë për ushtrim dhune dhe nxitje në vetëvrasje, e për këtë disa ditë më parë nisi procesi në Gjykatën e Tiranës në ngarkim të tij. Ngjarja për të cilën akuzohej Besniku ndodhi më 7 janar të këtij viti. Sipas policisë, bashkëshorti ka deklaruar se nuk ka ndier asgjë në dhomë, ndonëse e shoqja ishte çuar nga krevati në mes të natës. Kishte marrë një shall të leshtë në dollap. E kishte lidhur në një ganxhë mbi dritaren nga brenda dhomës së gjumit. Me shallin kishte formuar një lak dhe me të kishte realizuar vetëvarjen. Besniku pretendon se është zgjuar rreth orës 02:00 pas mesnate duke gdhirë dita e hënë, dhe e ka gjetur të vetëvarur. Ai ka lajmëruar të vëllanë që jeton në banesën pranë dhe policinë për ngjarjen. Katër muaj më parë para se të vetëvritej, Elisabeta kishte denoncuar në komisariatin numër 5 të policisë së Tiranës se ndaj saj ushtrohej dhunë në mënyrë sistematike, duke kërkuar mbrojtje të menjëhershme. Por, ndërsa policia kishte nisur procedurat për marrjen në mbrojtje të 27-vjeçares, ajo vetë ka tërhequr denoncimin duke deklaruar se ishte pajtuar me të shoqin. Keqtrajtimet sistematike përveçse e bënë viktimë gruan, dhe tashmë edhe burrin, hodhën në krahët e fatkeqësisë 4 fëmijët e vegjël, 7-13 vjeç, të mbetur jetimë dhe pa asnjë të ardhur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›