Refuzimi i vizave,Qytetarët kanë të drejtë ankimimi
Çdo qytetar shqiptar, të cilit i refuzohet një vizë turistike në Itali, ka të drejtë të bëjë ankimim
Të marrësh një vizë turistike, jo gjithmonë është e garantuar se të jepet e drejta nga ambasadat përkatëse. Madje në të shumtën e rasteve, qytetarë të tërë marrin përgjigje negative duke u mohuar vizat.
Megjithëse çdo dokumentacion i paraqitur në ambasadë mund të jetë në rregull, shumë prej tyre sërish nuk marrin vizën.
Refuzimi
Bllokada më e madhe është bërë kryesisht për shtetasit shqiptarë që kërkojnë vizë për vendet të ndryshme evropiane apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në mënyrë të veçantë hyrja është disi më e kufizuar në Itali dhe në Gjermani.
Qytetarëve që aplikojnë për vizë turistike në këto vende u refuzohet viza pa asnjë arsye. Shumë prej tyre e quajnë të padrejtë, pasi çdo dokumentacion ka qenë në rregull e megjithatë viza u është mohuar.
Ndërkohë, ndodh që një vizë turistike edhe të refuzohet nga konsullata italiane.
Specialistët e Drejtorisë së Migracionit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pohojnë se në bazë të legjislacionit, thuhet se për të hyrë në Itali një shtetas duhet të kërkojë vizë hyrjeje drejtpërdrejt në konsullatën italiane në vendin e tij të origjinës apo qëndrimit të ligjshëm (vetëm në raste përjashtimore për hyrje afatshkurtër shtetasit e disa shteteve, me motive turizmi, apo biznesi nuk kanë nevojë për vizë hyrjeje).
Nëse nuk plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj, kërkesa për lëshimin e vizës refuzohet nga konsullata, e cila e shoqëron vendimin për refuzim me shkrim në një gjuhë të kuptueshme nga i huaji apo në mungesë në anglisht, frëngjisht, spanjisht apo arabisht.
“Refuzimi i një vize turistike duhet të argumentohet nga zyra konsullore, pasi ajo me ligj është e detyruar të japë shkakun e refuzimit me shkrim. Po kaq e vërtetë është se ky vendim nuk mund të jetë arbitrar dhe duhet të jetë i mbështetur në një arsyetim të vlefshëm”, - shprehen specialistët e Drejtorisë së Migracionit.
Ata rekomandojnë se shtetasit të cilëve u është refuzuar viza për motive turistike, t'i drejtohen Gjykatës Administrative të Lacios (TAR), brenda 60 ditëve nga marrja e njoftimit për këtë refuzim. Ankimimi është i mundur vetëm për ata shtetas që kanë paraqitur kërkesë për vizë hyrjeje për motive turistike. I interesuari duhet të zgjedhë një avokat në Itali, i cili do ta asistojë në paraqitjen e ankimimit dhe në fazat e ndryshme të procesit gjyqësor të rishikimit të vendimit.
Për këtë, specialistët këshillojnë se duhet bërë një “prokurë speciale për mosmarrëveshje”, duke caktuar avokatin e zgjedhur, që do ta përfaqësojë ankimuesin në Itali. Kjo prokurë mund të kërkohet personalisht te zyra noteriale e konsullatës italiane, duke paraqitur një dokument identiteti dhe të dhënat e përgjithshme të avokatit, adresën e studios dhe të dhënat referuese të çështjes (gjykata kompetente dhe tipi i çështjes).