E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet viza turistike në Itali, ja si mund të ankohesh

Autori i Lajmit: red.
Nëse një individ dëshiron të takojë një të afërm me qëndrim të rregullt në Itali, përmes një vize hyrjeje për turizëm, duhet të plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj. Por ndodh që një vizë turistike edhe të refuzohet nga konsullata italiane.
Specialistët
Specialistët e Drejtorisë së Migracionit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, pohojnë se në bazë të legjislacionit thuhet se për të hyrë në Itali një shtetas duhet të kërkojë vizë hyrjeje drejtpërdrejt në konsullatën italiane në vendin e tij të origjinës, apo qëndrimit të ligjshëm (vetëm në raste përjashtimore për hyrje afatshkurtër shtetasit e disa shteteve, me motive turizmi, apo biznesi nuk kanë nevojë për vizë hyrjeje). Nëse nuk plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj, kërkesa për lëshimin e vizës refuzohet nga konsullata, e cila e shoqëron vendimin për refuzim me shkrim në një gjuhë të kuptueshme nga i huaji, apo në mungesë në anglisht, frëngjisht, spanjisht apo arabisht.
Refuzimi
“Refuzimi i një vize turistike duhet të argumentohet nga zyra konsullore, pasi ajo me ligj është e detyruar të japë shkakun e refuzimit me shkrim. Po kaq e vërtetë është se ky vendim nuk mund të jetë arbitrar dhe duhet të jetë i mbështetur në një arsyetim të vlefshëm”, shprehen specialistët e Drejtorisë së Migracionit.
Rekomandimi
Ata rekomandojnë se shtetasit të cilëve iu është refuzuar viza për motive turistike, që t i drejtohen Gjykatës Administrative të Lacios (TAR), brenda 60 ditëve nga marrja e njoftimit për këtë refuzim. Ankimimi është i mundur vetëm për ata shtetas që kanë paraqitur kërkesë për vizë hyrjeje për motive turistike. I interesuari duhet të zgjedhë një avokat në Itali, i cili do ta asistojë në paraqitjen e ankimimit dhe në fazat e ndryshme të procesit gjyqësor të rishikimit të vendimit.
Prokura speciale
Për këtë, specialistët këshillojnë se duhet bërë një “prokurë speciale për mosmarrëveshje”, duke caktuar avokatin e zgjedhur, që do ta përfaqësojë ankimuesin në Itali. Kjo prokurë mund të kërkohet personalisht te Zyra Noterore e Konsullatës Italiane, duke paraqitur një dokument identiteti dhe të dhënat e përgjithshme të avokatit, adresën e studios dhe të dhënat referuese të çështjes (gjykata kompetente dhe tipi i çështjes).

Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›