E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjimi komunist, fundi i epokës së prostitucionit profesionist

Autori i Lajmit: red.
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri i dha fund epokës së prostitucionit profesionist të krijuar deri në atë kohë. Ndër vendimet e para të marra, ishte mbyllja e shtëpive publike dhe hartimi i një legjislacioni
të rreptë kundër çdo forme të ushtrimit e shfrytëzimit të prostitucionit. Qëndrimi që u mbajt në Shqipëri ndaj prostitucionit në periudhën 1945- 90, përputhet me ideologjinë komuniste, e cila tentoi të shndërrohej dhunshëm në të vetmen ideologji. Sipas saj, komunizmi do të çonte në zhdukjen e të gjitha shkaqeve ekonomike nga të cilat burojnë padrejtësitë sociale, shtypja dhe shfrytëzimi, duke përfshirë shtypjen shekullore të grave nga burrat dhe shfrytëzmin seksual prej tyre. Pas zhdukjes së prodhimit kapitalist do të krijohej një shoqëri e re socialiste e komuniste, një moral i ri (morali komunist), sikurse njeriu i ri i kësaj shoqërie etj. Sipas Engelsit (1980: 251), me zhdukjen e marrëdhënieve kapitaliste do të ndryshojnë edhe marrëdhëniet seksuale të njerëzve dhe “...do të rritet një brez i ri: një brez burrash që nuk do të kenë kurrë rast në jetën e vet të blejnë një grua me para ose me mjete të tjera të pushtetit shoqëror, si dhe një brez grash që nuk do të kenë kurrë rast t i jepen një burri për arsye të tjera, përveçse nga dashuria e vërtetë...”
Sikurse Engelsi, edhe Lenini ka shkruar për prostitucionin. Në vitin 1913 ai shkruante për “Raboçnaja” Pravda, lidhur me një kongres ndërkombëtar kundër prostitucionit: “Në Londër është mbajtur kongresi i pestë ndërkombëtar kundër trafikut të skllevërve të bardhë. Dukesha e kontesha, priftërinj e peshkopë, zyrtarë policie e filantropë borgjezë të çdo ngjyre, reklamuan veten në këtë kongres. Banketet luksoze, ceremonitë e pritjet mondane s kishin të sosur, siç nuk kishin fund fjalimet pompoze për prostitucionin e dëmshëm e të turpshëm . Por cilat ishin mjetet e luftës që delegatët e kollarisur borgjezë sugjeruan
kundër prostitucionit? Sipas tyre, dy mënyrat kryesore, më të sigurta e më të shpejta, ishin: besimi fetar dhe dhuna policore… Nga ana tjetër, histori të shumta, solemne e instruktive u rrëfyen atje. Prej tyre mund të gjykojmë se çfarë hipokrizie mbretëroi në atë kongres aristokrato-borgjez. Sharlatanët e bamirësisë
dhe mbrojtësit qesharakë të rendit do të luftojnë kundër prostitucionit, megjithëse atë e mbajnë gjallë pikërisht aristokratët e borgjezët….”
Në zbatim të kësaj ideologjie, edhe regjimi i hekurt komunist shqiptar nuk lejoi përhapjen e prostitucionit në Shqipëri. Propaganda zyrtare vijoi ta quante prostitucionin si “një plagë të kapitalizmit dhe shprehje të kalbëzimit të tij”, madje edhe në periudhën pasenveriane. Kreu i politikës shqiptare të asaj kohe, R. Alia (1986: 153), pak kohë para fillimit të proceseve demokratike, deklaronte: “Një shtresë e re shoqërore është krijuar me të ashtuquajturit të hedhurit tej të shoqërisë , ku bën pjesë bota e krimit, e të droguarve, e të gjymtuarve, e prostitucionit etj. Është kjo një pjellë e sistemit kapitalist që, me peshën e saj në rritje ndikon në degjenerimin e mëtejshëm të shoqërisë… Kapitalizmi i sotëm provoi se nuk është në gjendje të shërojë asnjë nga plagët e tij”.
Pra, siç shihet, edhe lufta kundër prostitucionit - “plagë e kapitalizmit” - vlerësohej si pjesë e luftës së klasave, të zbatuar madje me shumë rreptësi gjatë regjimit komunist. Ndër analistët e sistemit komunist vërehen qëndrime të ndryshme lidhur me arritjet e tij në fushën e marrëdhënieve shoqërore. Për disa ai përfaqësonte një harmoni pozitive, sepse u krijuan edhe vlera; për të tjerë një harmoni negative (Kadare, 2000: 60), për shkak të dhunës e mungesës së lirive. Për disa studiues komunizmi (edhe ai shqiptar) ishte një sistem i moralit shoqëror; për të tjerë, si fjala vjen Zbigniev Brzhezhinksi, ai përkundrazi është cilësuar si çmoralizuesi më i madh i shoqërisë, pikërisht për shkak të politizimit të marrëdhënieve shoqërore (sot vërehet komercializimi i tyre) etj.

Në Shqipërinë Socialiste, sjellja seksuale ishte e vëzhguar dhe e kontrolluar
Mungesa e prostitucionit deri në pragun e viteve 90-të duket se lidhet me gjithë kuadrin në të cilin punonin e jetonin shqiptarët. Në strukturat patriarkale dhe më pas në strukturat e reja shoqërore (jo aq partriarkale), të pas Luftës së Dytë Botërore, thuajse çdo individ zinte një pozicion të dhënë, kryente një punë të caktuar, sillej sipas normave të pranuara, i bindej pa kushte autoritetit. Raportet afektive dhe morale kishin përparësi kundrejt atyre të bazuara në interesat. Shqipëria është karakterizuar nga një realitet social i lexueshëm, përgjithësisht rural, pak a shumë homogjen, nga një “status quo”, në të cilën edhe sjellja seksuale e njerëzve ishte e vëzhguar dhe e kontrolluar. Për këtë realitet kanë shkruar edhe studiues apo reporterë të huaj. Nga Bostoni, në “First impressions of Life in Albania”, Peter Lukas, shkruante më 1986:
“Në Shqipëri nuk ekzistonte problemi i drogës, nuk kishte prostitucion e pornografi dhe kriminaliteti ishte i papërfillshëm. Nuk kishte të pastrehë që flinin në rrugë e parqe”.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, ai ripohon: “Po, ishte e vërtetë. Tani unë do të shtoja se kishte ujë dhe energji të mjaftueshme, se nuk kishte prostituta, fëmijë që lypnin dhe flinin rrugëve, se nuk kishte homoseksualë. Mund të kisha shtuar gjithashtu që nuk kishte liri dhe nuk kishte lumturi” (Lukas, 1998).

Psikologu
Edhe në komunizëm, femrat jepeshin për karrierë, por nuk ishte dukuri
“Pra, gjatë regjimit komunist, kapitulli (i deriatëhershëm) “prostitucion” ishte një kapitull i mbyllur, -shpjegon sociologu Lekë Sokoli. -Mund të thuhet se edhe atëherë kishte “kurva”. Por me këtë term cilësoheshin femrat qejflesha, bukëdhënëse, të paqëndrueshmet në marrëdhëniet me meshkujt, ato që edhe në martesë nuk respektonin ekskluzivitetin seksual (nuk donin apo nuk mundnin, kjo është tjetër çështje), ato që ndërronin partnerë seksualë, por gjithësesi jo prostitutat, ato që dalin në “treg” në një marrëdhënie shkëmbimi seks-para”. Më tej sociologu vëren: “Edhe në komunizëm kishte gjithashtu femra që jepeshin
për karrierë (në mos për para). Por kjo nuk përbënte një dukuri masive, nuk përfaqësonte një problem. Aq më shumë që termi “për karrierë”, në kushtet e shpërndarjes së barabartë të varfërisë (siç e ka
cilësuar Çurçilli), nënkuptonte një karrierë profesionale, partiake apo administrative, pra një tjetër punë e profesion.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›