Regjisorët boshnjakë kundër Kusturicës
Regjisorët boshnjakë Jasmila Zhbaniç dhe Haris Pashoviç u kanë dërguar letër të hapur drejtorëve të Festivalit të Filmit në Kanë, i cili u mbyll me një ceremoni çmimesh, duke u kujtuar organizatorëve mbështetjen e Emir Kosturicës ndaj kriminelëve të luftës.
Në letrën e tyre ata kanë përshëndetur vendimin e festivalit për t’u distancuar nga regjisori danez, Lars Von Trier, “njeriut i cili haptazi është simpatizant i fashizmit”.
Por njëkohësisht për dy regjisorët nuk e kanë të qartë qasjen ndaj regjisorit serb, Emir Kusturica. "Jemi të habitur me standardet e dyfishta të festivalit në raport me regjisorin serb, Emir Kusturica, përkrahës shumëvjeçar i kriminelëve të luftës që janë bërë në Ballkan gjatë viteve ‘90", shkruajnë Zhbaniç e Pashoviç në letrën e tyre.
Më tej ata shkruajnë se “gjatë rrethimit të Sarajevës prej vitit 1992 deri më 1995, shumë intelektualë europianë kanë ngritur zërin kundër shkatërrimit të saj, ndërsa Emir Kusturica, i lindur në Sarajevë, xhironte filma që sponsorizoheshin nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Milosheviç". Por duket se ndaj letrës së tyre nuk ka pasur ndonjë reagim.