E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti i hapur

Nga Express më 26 maj 2011 në ora 09:11


Sot, e enjte si dhe çdo të enjte që vjen, në teatrin Dodona, në ora 19:30, shfaqet ‘Çifti i hapur’, me tekst të autorëve italianë Dario Fo dhe Franca Rame dhe me regji të regjisorit Kushtrim Koliqi.

"Çfarë do të bëni në qoftë se partneri juaj papritmas e hap mendjen e tij apo të saj për të pasur marrëdhënie me një person tjetër?" Një burrë i propozon gruas së tij eliminimin e konceptit të besnikërisë bashkëshortore dhe krijimin e një ‘Marrëdhënie të hapur’ në jetën e tyre.

Gruaja, kuptohet, kundërshton dhe pas disa përpjekjeve për vetëvrasje, ajo vendos ta pranojë ofertën e burrit të saj, sepse realisht kjo është mënyra e vetme për të mbetur ‘të martuar’. Burri është i lumtur. Nuk ka nevojë më t’i fshehë të dashurat e tij dhe në një farë mënyre çlirohet nga ndjenja e fajit. Tani çdo gjë është demokratike dhe e hapur. Çdo gjë shkon si më së miri deri në ditën kur gruaja gjen dashurinë e saj jetësore, gjë të cilën burri i saj ‘modern’ nuk mund ta pranojë.

Në këtë shfaqje luajnë Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku, ndërsa kostumet dhe skenografia janë bërë nga Njomza Luci, kompozitor është Trimor Dhomi, koreograf Driton Saqipi, dizajner i dritave Skënder Latifi, menaxher i skenës Bedri Maloku, Fadil Bekteshi dhe Albert Gashi, ndërsa fotografitë Arton Humolli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›