E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistrim online për në Qytetin Studenti

Të gjithë studentët e vjetër të Qytetit Studenti do ta kenë më të lehtë aplikimin për në dhomat e tyre, pasi këtë vit, aplikimi do të mund të bëhet online. Drejtoria e Qytetit Studenti ka vendosur në dispozicion këtë mjet, në mënyrë që të shkurtohen radhët në drejtori dhe të arrihet të plotësohen nevojat e studentëve. Aplikimi do të mund të bëhet në adresën www.qytetistudenti.com, në linkun “aplikoni”, që ndodhet në krye të faqes.

Internet në çdo dhomë

Por, këtë vit qyteti studenti do të ketë një ndryshim tërësor. Për herë të parë në çdo dhomë do të ketë internet për të gjithë, në sajë të vendimit më të fundit të drejtorisë së këtij institucioni. “Për herë të parë në historinë e tij, në Qytetin e Studentit ofrohet shërbimi i internetit në çdo dhomë. Si në shumë vende perëndimore edhe studentët shqiptarë do të kenë mundësi të përdorin internetin 24 orë kundrejt një pagese prej 300 lekësh në muaj”, – deklaroi drejtori Bujar Borovina.

Qyteti Studenti do të presë këtë vit 6.400 studentë në më shumë se 20 godina që disponon. Drejtoria e këtij institucioni lajmëroi se janë duke u bërë rindërtime në disa godina, në mënyrë që kushtet për studentët të jenë më të mira. Studentët do të paguajnë 25 mijë lekë për strehimin dhe 1 mijë lekë si siguracion, i cili kthehet në fund të vitit.

Studentët e rinj

Ndërkohë që studentët që kanë qenë edhe vitet e kaluara në Qytetin Studenti do të kenë përparësi dhe procedura më të lehta regjistrimi, studentët e rinj do të duhet të kalojnë kalvarin e plotësimit të dokumentacionit përpara se të marrin çelësin e “dhomës-shtëpi” të tyre të re.

Për studentët që këtë vit do të hyjnë për herë të parë në universitet dhe për ata që nuk kanë jetuar më parë në Qytetin Studenti, procedurat dhe afatet do të jenë më të ndërlikuara. Ende nuk është përcaktuar asnjë afat për regjistrimet në Qytetin Studenti, pasi pritet që të shpallen fituesit në universitete, çka do të ndodhë në fillim të muajit shtator nga Ministria e Arsimit dhe nga universitetet. Pas shpalljes së fituesve dhe nisjes së procedurave të regjistrimit në departamentet përkatëse në universitete, do të përcaktohet edhe afati i regjistrimit në bujtinat e Qytetit Studenti.

Aplikuesit

Këtë vit aplikuesit për në Qytetin Studenti do të jenë 400 më shumë se një vit më parë, sipas drejtorisë së këtij institucioni. Ata që do të pranohen do të jenë studentë të viteve të para ose të regjistruar më parë në këtë institucion. Vendet e mbetura do të shpërndahen për studentët e viteve të tjera, që nuk kanë qenë të regjistruar më parë. Ndërkohë, në Qytetin Studenti ekzistojnë edhe dy godina për familjarë, si edhe dy godina private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›