Zonat ku do të ndërtohen banesat për të pastrehët
Janë përcaktuar zonat ku do të ndërtohen banesat sociale për të pastrehët. Bashkia e Tiranës, pasi ka piketuar zonat, po përgatit projektet për ndërtimin e banesave. Ndërkohë që janë caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku mendohet se do të ndërtohen banesa sociale, përmes të cilave synohet strehimi i personave dhe familjeve “pa strehë”, si edhe integrimi i tyre në shoqëri.
Fillimisht është hartuar një strategji zhvillimi lidhur me mundësitë e gjetjes së shesheve të lira, për ndërtimin e blloqeve të banimit për këto familje në nevojë. Si zonë e parë është caktuar hapësira e ish-Kombinatit të Auto-traktorëve, tashmë jofunksionale, dhe pikërisht ish-hapësira e “Fondermekut” do të shërbejë si hapësira e ardhshme për krijimin e blloqeve të banimit, për familjet në nevojë (të pastreha). Banesat sociale parashikohen të ofrojnë strehë për familje të madhësive të ndryshme dhe për këtë arsye brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsonierë, 1+1, 2+1, si edhe 3+1. Banesa në fjalë parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme.
Një tjetër hapësirë ndodhet në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, midis “Rrugës së Durrësit” dhe “Rrugës së Kavajës”. Hapësira aset e Bashkisë së Tiranës zë vend në një bllok banimi, ku lartësia mesatare është 6 kate, dhe për t'iu përshtatur kushteve urbane të zonës, lartësia e propozuar për banesën sociale është gjithashtu 6 kate. Nëntoka e kësaj hapësire do të ketë 2 kate parkim, që do të administrohen nga Bashkia e Tiranës dhe do t'u shërbejë jo vetëm banorëve të objektit, por edhe më gjerë.
Dokumentacioni për t’u trajtuar me bonus qiraje:
1. Certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992
2. Certifikatë aktuale të përbërjes familjare
3. Certifikatë lindjeje personale të aplikuesit
4. Vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit
5. Vërtetim të ardhurash (neto të familjes)
6. Vërtetim page për aplikantin, si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune
7. Dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar
8. Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike
9. Vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë
10. Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension
11. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit
12. Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi
13. Dokument zyrtar të celebrimit dhe certifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja
14. Vendimin gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara
15. Vërtetim të statusi të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status
16. Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004
17. Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga ligji nr. 7501, “Për tokën”, për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes
18. Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes
19. Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes
20. Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme
21. Kontratë qiraje të banesës ku jetoni.