E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personazhe VIP dhe të huaj, klientë prostitutash

Tiranë Antitrafiku arreston dy tutorë e tri vajza të reja

Personazhe të ekranit dhe politikës shqiptare, por edhe të huaj, janë kapur me prostituta në një hotel luksoz në Tiranë, gjatë një operacioni të policisë për goditjen e një grupi kriminal. Policia ishte nisur për të kapur dy tutorë dhe tri prostituta, por gjatë ndërhyrjes kanë parë se këto prostituta shkonin me persona VIP. Bëhet fjalë për operacionin “Red lights” (Dritat e kuqe), i cili u realizua nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, bazuar në informacionet e grumbulluara. Gjatë ndërhyrjes u arrestuan pesë vetë për veprën penale të “Shfrytëzimit për prostitucion në rrethana rënduese” dhe për “Ushtrim prostitucioni”. Sipas të dhënave, fillimisht u kapën Besim Lami, 33 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë dhe Gentian Buzi, 33 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë, që dyshohen për shfrytëzimin e tri vajzave të reja për prostitucion. Policia tha se për Buzin nuk ka shumë prova, por akuzohet për moskallëzim krimi. Arrestimi i tyre u realizua falë informacioneve dhe një hetimi 4-mujor. Të arrestuarit dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në hotele të ndryshme në kryeqytet tri vajza. Policia tha se edhe për vajzat, G.M., 24 vjeçe, lindur në Korçë e banuese në Tiranë, O.C., 22 vjeçe, lindur në Skrapar e banuese në Tiranë dhe F.Ll., 23 vjeçe, lindur dhe banuese në Krujë, u vendos arrestimi në flagrancë. Vajzat u arrestuan gjatë orëve të vona të natës, duke ushtruar prostitucion me klientë të ndryshëm kundrejt shumës 200-400 euro, në një hotel luksoz në Tiranë. Për Besim Lamin dhe Gentian Buzin, të arrestuar për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, u provua se për një periudhë 4-mujore kishin ndërtuar një rrjet të sofistikuar për shfrytëzimin e shumë femrave. Ata, pasi realizonin rekrutimin e vajzave, duke njohur vështirësitë ekonomike dhe problemet familjare të tyre, i shfrytëzonin në hotele luksoze në Tiranë, duke u siguruar klientë të huaj dhe VIP. Aktualisht vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ta dokumentuar më tej këtë aktivitet kriminal, si dhe do të përgatiten materialet në ngarkim të tyre. Për shtetasit Besim Lami e Gentian Buzi, po përgatiten materialet për t’i referuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetim pasuror mbi asetet e përfituara nga veprimtaria kriminale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›